Kosovë, konfiskohen 50 kg lëndë narkotike
28/10/2011 16:30
Policia e Kosovës ka njoftuar të premten konfiskimin e 50 kilogramëve lëndë narkotike në një automjet me targa serbe.
Zyrtari i policisë, Bahri Shala ka deklaruar se sekuestrimi ka ardhur si rezultat i intensifikimit të aplikimit të strategjisë anti-drogë.
“Ditën e enjte, në Fushë Kosovë, në një veturë tip “BMW” me targa serbe, është gjetur një sasi droge që peshon 50 kilogram”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, personi që dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit nuk është arrestuar, por policia kosovare ka njoftuar kolegët serbë lidhur me ngjarjen.
Shala ka shtuar më tej se lidhur me trafikun e drogës, brenda një jave policia ka arrestuar 16 persona, të dyshuar për përfshirje në trafik.
Top Channel