Gjykata e Katanias në Itali ka liruar nga burgu gjashtë anëtarë të Cosa Nostra-s, të dënuar padrejtësisht me burgim të përjetshëm lidhur me vrasjen e prokurorit të antimafias, Paolo Borsellino.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave lirimi ka ardhur pas deklaratave të bëra nga i penduari Gaspare Spatuza, i cili ka hedhur dritë mbi disa aspekte të errëta të atentatit.
Sipas burimeve, dy nga të dënuarit u liruan të premten, ndërsa katër të tjerë ditën e enjte. Në ditët e ardhshme mund të ketë lirime të tjera.
Përvec rrëfimeve të të penduarit, në lirimin e të dënuarëve kanë ndikuar hetimet e prokurorisë së Kaltanisetës, në Sicili, mbi ngjarjen e 19 korrikut të vitit 1992.
Prokurorët kanë arritur të zbulojnë devijimet që u janë bërë hetimeve të mëparshme dhe po përpiqen të zbulojnë elementë të tjerë jashtë mafias, që kanë mbështetur atentatin ndaj Borsellino-s.
19 vjet më parë, në rrugën D’Amelio të Palermos, një makinë e mbushur me qindra kg eksploziv shpërtheu duke vrarë prokurorin e antimafias dhe pesë truprojat që e shoqëronin.
Top Channel