Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka konfirmuar lajmet e publikuara në media për kontakte mes saj dhe të birit të kolonelit Muammar Gaddafi, Saif al Islam.
“Kemi vendosur kontakte informale me Saif përmes disa ndërmjetësve”, ka deklaruar prokurori Luis Moreno Ocampo.
Sipas tij, prokuroria i ka bërë të ditur të birit të diktatorit se, nëse paraqitet në gjykatë do të ketë të drejtë që të dëgjohet dhe të konsiderohet i pafajshëm deri sa të provohet e kundërta.
Saif al Islam e sheh vetëdorëzimin në Hagë si rrugëzgjidhjen e vetme për të shpëtuar i gjallë, pas vdekjes së të atit.
Bashkë me të në gjykatën ndërkombëtare mund të dorëzohet edhe ish-shefi i shërbimeve sekrete të Libisë, Abdullah al Senussi.
Sipas të dhënave të fundit të fiseve tuareg, aleatë historikë të Gaddafi-t, Saif ndodhet në Niger, i mbrojtur nga një grup mercenarësh afrikanë.
Por burime pranë shërbimeve sekrete libiane deklaruan se shteti i Nigerit u ka kërkuar dy të arratisurve shifra shumë të larta për t’u ofruar strehim afatgjatë.
Pak ditë më parë shërbimet sekrete britanike njoftuan se forcat speciale SAS janë vënë në ndjekje të të birit të kolonelit.
Saif u arratis nga Sirte në momentet kur babai i tij u kap dhe u vra nga rebelët. Për të shmangur kapjen ai ndërroi disa herë makinat.
Top Channel