Djemtë dhe vajzat e të gjithë monarkëve të ardhshëm të Britanisë së Madhe do të kenë të drejta të barabarta për të trashëguar fronin, u vendos ditën e shtunë, pasi ligji i propozuar u miratua nga liderat e vendeve të Komonuelthit.
16 vendet që pranojnë ende formalisht kurorën e monarkes anglez si drejtuesen më të lartë të shtetit votuan për ndryshimin e ligjit qindra-vjeçar të trashëgimit në Përth, Australi, në prezencën e vetë Mbretëreshës.
Ishte Kryeministri David Cameron ai që kreu propozimin disa javë më parë, duke arsyetuar se ligji që favorizon vetëm djemtë përbënte një diskriminim seksual.
Në fjalim përkrahës ndaj kësaj ideje, Elizabeta e Dytë theksoi se femrat duhet të kenë një rol më të madh në shoqëri. Ajo shtoi se me martesën e Princit William më parë gjatë vitit, çështja e rregullimit të këtij ligji nuk mund të priste më.
Britania ka njohur shumë monarke femra gjatë historisë së saj, por kjo si rrjedhojë e mungesës së pasardhësve meshkuj. Në bazë të ligjit që shfuqizohet, vajza humbte të drejtën për të drejtuar vendin nëse pas saj do të lindte djalë.
Top Channel