Liderat e vendeve të Eurozonës do të kërkojnë ndihmën e Kinës për krijimin e fondit madhor prej një trilion eurosh, i cili do të jetë i gatshëm për t’u përdor në rastin e kolapseve të mundshme financiare, të ngjashme me rastin grek.
Njeriu që do të drejtojë Komisionin e Fondit të Shpëtimit, Klaud Regling, u takua të premten me funksionarë të lartë të Pekinit, por theksoi se nuk ka asnjë tratativë në diskutim dhe se nuk ka gjasa që marrëveshja të nënshkruhet së shpejti.
Megjithatë, BBC citon burime të “mirëinformuara” të shtunën, ndërsa informon se Brukseli do të kërkojë nga Kina që të përfshihet me 70 miliardë euro, në planin madhor për krijimin e kësaj skeme.
Pas një dekade rritje spektakolare, Pekini është shndërruar në mbajtën e rezervave më të mëdha në monedhë të huaj të botës dhe disa lidera financiarë, përfshi shefin e Rezervës Federale në SHBA dhe të Bankës së Anglisë, i kanë bërë thirrje Kinës që të përfshihet në investime, duke i dhënë kështu një stimul rikuperimit ekonomik.
Në të shkuarën, ekspansioni kinez jashtë kufinjve është kritikuar shpesh nga vendet perëndimore. Megjithatë, Pekini është një blerës i rregullt i letrave me vlerë që emetohen nga vendet e Bashkimit Europian.
Megjithatë, presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, u shpreh skeptik mbi planin. “Nuk besoj se Kina do të shndërrohet në një kalorës bujar që do të vijë dhe t’i japë para vendeve të zhytura në borxhe. Ata do të investojnë vetëm nëse do të shohin një interes të qartë ekonomik”, u shpreh Zoellick.
Top Channel