“Nderi i Kombit” për Pjeter Arbnorin

28/10/2011 00:00

Në një ceremoni të vecantë dhe solemne, Presidenti i Republikës Bamir
Topi dekoroi Pjetër Arbnorin pas vdekjes, me urdhërin “Nderi i Kombit”.

Presidenti i bëri homazh jo vetëm politikanit, por, sic tha ai vetë, edhe mikut personal, duke theksuar vecanërisht, natyrën qytetare të politikanit nga Shkodra:

“Në kontrast me modelet politike konfliktuale dhe ideologjike, me sjelljet politike joqytetare dhe penguese për vendin, Arbnori kujtohet nga të gjithë për qetësinë, argumentin dhe integritetin e lartë. I zgjedhur deputet në pesë legjislatura, një nga përfaqësuesit më të denjë të qytetarisë shkodrane, Arbnori krijoi edhe në demokraci modelin e politikanit evropian, – mbështetës i vendosur i dialogut politik dhe i shtetit të së drejtës, aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut, politikan që vendos mbi gjithçka tjetër interesin publik e kombëtar”, tha presidenti Topi.

Për të bijën e Pjetër Arbnorit, vlerësimi “Nderi i Kombit” shkon përtej figurës së të atit, te familja dhe miqtë e tij të shumtë.

“Ky vlerësim që i jepet sot babait, i shkon natyrisht dhe mamasë sonë, që ka ndarë me të çdo moment të bukur dhe të vështirë në karrierën e tij, si politikan dhe shkrimtar, deri në momentet e fundit, por dhe të gjithë shokëve, miqve dhe dashamirësve të familjes sonë, që kontribuojnë duke mbajtur gjallë emrin e tij. Ata janë vërtet të shumtë në numër dhe në emër të të gjithëve, unë Ju them dhe njëherë: Faleminderit për këtë dekoratë!”, tha Gjystina Arbnori.

Pjetër Arbnori është quajtur Mandela shqiptar për shkak të 28 viteve burg që ka bërë nën regjimin komunist. Ai ishte bashkëthemelues dhe një nga figurat qendrore të Partisë Demokratike. Kryetar Parlamenti, Pjetër Arbnori u shqua edhe për grevën e tij të urisë në vitin 1998, në emër të lirisë së shprehjes, në një kohë kur televizioni publik e kishte reduktuar në maksimum hapësirën që i kushtonte opozitës demokratike në atë kohë. Për meritat e tij, sot, emrin e Pjetër Arbnorit e mban një shkollë 9-vjecare në Fushë-Arrëz dhe Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, e parashikuar për t’u prishur.

E parashikuar shumë kohë më parë, ceremonia në Presidencë nuk kishte lidhje me aktualitetin politik. Madje aktualiteti politik, e shtyu atë dhe pengoi, figura të mazhorancës aktuale, që të ishin të pranishëm. Por, Pjetër Arboni nuk i përket më vetëm mazhorancës aktule, por tërë Shqipërisë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB