Duket qartë se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka dhënë ende certifikimin për parametrat e buxhetit të shtetit për vitin 2012, i cili parashikohet të jetë rreth 4 miliardë dollarë.
Prej një jave, ekspertët e FMN-së qëndrojnë në zyrat e ministrit Bode, duke shqyrtuar deri në detaje çdo shpenzim dhe plan të ardhurash për vitin tjetër.
E planifikuar për t’u miratuar këtë javë, dje Këshilli i Ministrave dhe kryetari i saj, Berisha nuk ndërmorën asnjë hap për konkludimin e projektit, por u mjaftuan vetëm me bërjen e propagandës rreth prioriteteve të buxhetit.
Sakaq, burime të “Shqip” në Ministrinë e Financave bëjnë të ditur se, FMN-ja, që pak ditë më parë shpjegoi rreziqet që i vijnë Shqipërisë nga fqinjët, ka rekomanduar një buxhet më konservator, pra me shpenzime më të matura, në mënyrë që të ruajë deficitin.
Shqetësimi i Fondit lidhet me borxhin publik dhe shërbimet ndaj tij, ndërsa ka kërkuar nga ministria që parashikimet mbi të ardhurat të jenë sa më realiste.
Për këtë vit, FMN-ja parashikon një rritje ekonomike jo më të lartë se 2.5 për qind, kurse qeveria e vlerëson rritjen e PBB-së në nivelet e mbi 4 për qind.
Ndërkohë, dje kryeministri foli për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke e cilësuar si të madhin në histori. “Do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligjit. Institucionet, duke filluar nga Këshilli i Ministrave, do të kenë një shkurtim prej 5% të shpenzimeve operative”, tha dje kryeministri.
Kryeministri theksoi se është në detyrimin e ekzekutivit që buxhetin, i cili është më i madhi në historinë e vendit, ta përqendrojë në realizimin e objektivave kryesore të politikës së qeverisë, të premtimeve kryesore të mazhorancës, duke u drejtuar në disa destinacione më themelore.
“Natyrisht, një buxhet nuk plotëson kurrë, as edhe në vendin më të pasur dhe më të fuqishëm, të gjitha kërkesat dhe pritshmërinë, ndaj është dhe në detyrimin e ekzekutivit që buxhetin ta përqendrojë para së gjithash në realizimin e objektivave kryesore të politikës së saj, të premtimeve kryesore të mazhorancës, kështu që edhe ky buxhet, që është më i madh në historinë e vendit, do të ketë destinacione më kryesore”, u shpreh kryeministri.
Top Channel