Ministri brazilian i Sporteve, Orlando Silva ka dhënë dorëheqjen pas akuzave të ngritura ndaj tij për korrupsion.
Silva është ministri i pestë që lë zyrën nën dyshimin për korrupsion, që kur presidentja Dilma Rousseff mori pushtetin në janar.
Ai i ka mohuar akuzat se ka ndihmuar në përvetësimin e miliona dollarëve nga një fond i krijuar për promovimin e sportit tek fëmijët e varfër.
Zoti Silva ishte në krye të përgatitjeve për Kupën e Botës 2014 dhe për Lojrat Olimpike që do të mbahen dy vjet më vonë.
Ai njoftoi dorëheqjen e tij pas një takimi me presidenten Rousseff, duke deklaruar se po largohej për të mbrojtur nderin e tij.
“Presidentja mbështeti vendimin tim pasi e kuptoi se kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur nderin tim, që është dëmtuar pa pasur asnjë provë”, tha Silva për gazetarët.
Dyshimet ndaj ish-ministrit u ngritën për herë të parë nga një revistë e njohur, “Veja”, e cila publikoi një artikull më herët gjatë muajit.
Artikulli e akuzon Silva-n se ka ndihmuar në përvetësimin e 23 milionë dollarëve nga një skemë e qeverisë për të promovuar sportin tek fëmijët e varfër.
Paratë dyshohet se janë përdorur për pasurim personal dhe për të financuar Partinë Komuniste të Brazilit, që është pjesë e koalicionit qeverisës të presidentes Rousseff.
Dorëheqja e ministrit vjen në një moment kritik, kur përgatitjet për Kampionatin Botëror duket se nuk po ecin sipas planit, edhe pse vetë presidentja ka premtuar se gjithcka do të jetë gati për evenimentin sportiv më të madh të 2014-ës, për të cilin ka nisur numërimi mbrapsht.
Top Channel