![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/zzzzzzz_sd-800x450.jpg)
Pesë aktivistë të “Pranverës Arabe” u nderuan nga Parlamenti Europian me çmimin Sakharov, për luftën e tyre për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Midis fituesit përfshihet edhe i ndjeri Mohamed Bouazizi, tuniziani i cili provokoi shpërthimin e protestave në shkallë të gjerë në vendin e tij, duke i vendosur vetes flakën në një shesh qëndror të kryeqytetit.
Çmimi, i cili mban emrin e fizikantit dhe disidentit të njohur sovjetik, Andrei Sakharov, shoqërohet me një shpërblim prej 50 mijë eurosh.
Fituesit e tjerë ishin egjiptiania Asmaa Mahfouz, e cila në 6 prill formoi lëvizjen rinore, disidenti libian Ahmed al-Zubair al-Senussi dhe dy sirianë, pjesë e revoltave kundër regjimit autoritar të presidentit Bashar al-Assad, në vendin e tyre.
Mahmouz organizoi një blog në internet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në protestat që sollën fundin e presidentit Hosni Mubarak, ndërsa Senussi kaloi 31 vjet si i burgosur politik në Libi.
Dy sirianët, Zeitouner dhe Farzat, janë themelues të një komiteti opozitar dhe një karikaturist, i cili vendosi në lojë regjimin. Të dy janë dhunuar ashpër nga forcat e sigurisë.
Çmimi Sakharov akordohet çdo vit nga Parlamenti Europian që prej vitit 1988 dhe i dorëzohet njerëzve që kanë një kontribut madhor në luftën për të drejtat njerëzore dhe më shumë demokraci. Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela dhe ish-shefi i OKB-së, Kofi Annan, përfshihen midis atyre që janë nderuar me çmimin.
Top Channel