Një hetim i bërë nga komisioni disiplinor i klubit anglez të futbollit, Mancester Siti, ka shpallur fajtor sulmuesin karlos Tevez, për refuzimin që të futet në lojë në një ndeshje të Ligës së Kampioneve.
Si rrjedhojë futbollisti argjentinas është gjobitur me një shumë rekord prej 800 mijë paundësh, cka është edhe rroga e 4 javëve për lojtarin.
Karlos Tevez ka 14 ditë kohë për të apeluar vendimin e klubit, por sipas përfaqësuesve të tij, argjentinasi do të hedhë në gjyq trajnerin Roberto Mancini. Sulmuesi amerikano-latin do të kërkojë zgjidhje të njëanshme të kontratës, edhe pse me shumë gjasa, vetëm në janar mund të ndërrojë fanelën.
Ishte pikërisht tekniku italian që kërkoi procedimin disiplinor për argjentinasin, pasi ai refuzoi të luante si zëvendësues ndaj Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve.
Edhe sheiku Mansur, që ka në pronësi Mancester Sitin, i ka dhënë dorë të lirë Mancinit, për të vepruar mbi Karlos Tevez. ‘Një hetim i detajuar tregoi se janë thyer 5 pika të kontratës së futbollistit me klubin. Si rezultat ai është gjobitur me 4 paga javore. Ai do të pezullohet gjithashtu dy javë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Top Channel