Putin dhe Medvedev duket se e kanë siguruar tashmë të ardhmen e tyre, i pari si presidenti i ardhshëm që mund të qëndrojë në pushtet për 12 vjet rresht dhe i dyti si kryeministër.
Kështu, dy liderët, të cilët tashmë konsiderohen si dy vëllezër, kanë vendosur të bëjnë qejf, në kuptimin e plotë të fjalës.
Të martën të dy ata e kaluan në Stavropol, në jug të Rusisë, ku u xhiruan nga kamerat e televizioneve duke drejtuar dy makina bujqësore për mbledhjen e grurit.
E përditshmja ruse “Kommersant” i ka kushtuar faqen e parë aventurës së Putin dhe Medvedev, duke i vënë titullin “Carët e fushave”.
Së fundmi Putin, për të promovuar rikthimin e tij në krye të Kremlinit, ka bërë një fushatë moderne, ndryshe nga ato plot autoritarizëm të liderëve rusë.
Ai është shfaqur duke bërë xhiro me motor të tipit “Harley Davidson”, si dhe duke drejtuar makina të Formula 1.
Gjithashtu, Putin ka treguar edhe pasionin e tij për kafshët, pasi disa vite më parë doli në gjueti dhe me plumba qetësues kapi një tigër.
Madje, në mbështetje të tij nuk kanë munguar as modelet ruse, të cilat kanë pozuar për një kalendar të posacëm për liderin e padiskutueshëm të Rusisë.
Spekullimet e turbullta se miqtë e dikurshëm në pushtet do t’i ndante dredhia politike, morën fund më 24 shtator, kur në kongresin e partisë Rusia e Bashkuar, Medvedev i hapi rrugën Putin.
Por ndaj këtij evenimenti pati reagime nga shoqata të ndryshme, të cilat protestuan ditën e ditëlindjes së presidentit të ardhshëm me postera dhe pllakate.
Ndërsa Putin përpiqet të tregohet modest, duke thënë se rizgjedhja e tij nuk është një fakt i kryer, Medvedev thotë pa frikë se rikthimi i tij në pushtet nuk përbën asnjë rrezik.
Top Channel