Për socialistët, sinjalet e alarmit të lëshuara nga FMN-ja duhen marrë në konsideratë, pasi situata po del nga kontrolli. Borxhi ka arritur në nivele shqetësuese, aq sa e bën të vështirë uljen e tij brenda një kohe të shkurtër.
Për të pasur më nën kontroll situatën me buxhetin dhe shpenzimet në tërësi, Arben Ahmetaj, deputet i PS-së, sugjeron ngritjen e një zyre të posaçme pranë Parlamentit, të përbërë nga një staf të kualifikuar, në mënyrë që monitorimi të jetë tepër teknik dhe të mos ndeshim me surpriza të pakëndshme.
Duke folur për “Shqip”, anëtari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, thotë se ruajtja e nivelit të borxhit me Kushtetutë mund të jetë një formë e drejtë, por situata aktuale kërkon gatishmëri për uljen e menjëhershme, dhe pastaj të vendoset mbi kriteret përcaktuese.
Si e gjykoni nivelin aktual të borxhit publik, rreth 59% të PBB-së, që sipas qeverisë nuk përbën shqetësim deri sa mbetet nën 60%?
Borxhi në nivelet aktuale paraqet rrezik për stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit. Kush pretendon ndryshe, ose gënjen me qëllim, ose e bën nga padituria. Shqipëria nuk e përballon dot këtë borxh. Buxheti i shtetit, 16% të të ardhurave tatimore i shkojnë për shërbimin e borxhit publik, nivel ky tepër i lartë.
Nuk duhet të harrojmë që vende me natyrë ekonomike dhe zhvillim ekonomik si Shqipëria nuk mund të tolerojnë dot një borxh mbi 45% të GDP-së. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu që ne kemi një raport tepër të ulët e të pasigurt të ardhuranivel borxhi (kemi 2.2).
Ndërkohë që ne bëjmë një debat për borxhin e njohur, ka një pjesë borxhi, i cili është borxh i buxhetit ndaj kompanive të ndërtimit të infrastrukturës, dhe ku shkon deri në 200 milionë euro i akumuluar në disa vite. Kjo jo vetëm që do ta çonte borxhin mbi nivelin e 60%, por rrezikon si kompanitë ashtu edhe sistemin financiar.
Nuk është e rastësishme rritja e borxheve të këqija nga 3% para krizës në 18% të totalit të kredive në sistemin bankar sot, dhe mos harroni se mbi 19% do duhej që banka të pakapitalizuara mirë të futen në moratorium kredie, pra të ndalohen të japin kredi.
E pallogaritur këtu është edhe TVSH-ja e rimbursueshme, e cila është një shifër e konsiderueshme, dhe nuk duhet neglizhuar si detyrim, gjë që jo vetëm vë në shtrëngesë buxhetin, por cenon dhe parimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe cenon autoritetin e institucioneve të mbledhjes së taksave.
Pra besoj që kufiri i borxhit publik shqiptar ka kaluar nivelin e pranueshëm, dhe ajo çka me shqetëson është se që tani jemi “off track”, pra larg të mbajturit të tempit për të realizuar objektivat të vëna në buxhetin afatmesëm për ta ulur borxhin deri në 2013-n nën 55% të PBB.
Për sa i përket qytetarit, kjo shkon drejtpërsëdrejti në dëm të tij. Një qytetar shqiptar, ose ata që lindin në ditët e sotme, kanë një ‘borxh’ rreth 2000 euro, shumë kjo e dyfishuar në pak vite.
Në të njëjtën kohë rritja e borxhit rrezikon ta kthejë buxhetin në format të ngrirë për zhvillim, pra të cenojë drejtpërsëdrejti investimet publike, gjë që e kemi parë rëndom këto tre vitet e fundit. Vetëm në 2010-n për të mbajtur nivelin e deficitit në nivele të pranueshme u cenua integriteti i investimeve publike me një shkurtim rreth 300 milionë dollarë.
Nisur nga raporti i fundit i FMN-së, mbi sugjerimin e marrjes së masave, cili do të ishte vlerësimi juaj, apo i vetë PS-së?
Ne si opozitë lexuam në raportin e FMN-së ato që kemi thënë vazhdimisht si në seancë ashtu edhe në komisionet parlamentare.
Ne i kemi thënë qeverisë se mbledhja e taksave është përkeqësuar. 2010-a është viti më i keq në ritmin e rritjes së të ardhurave. Korrupsioni e ka gërryer bazën e të ardhurave, kriza ekonomike e ka reduktuar bazën ekonomike, paaftësia e administratës vetëm sa shton akoma e më tej dozën e dështimit.
Sistemi i taksave që qeveria u mburr në disa elemente të saj ka dështuar. Sot qytetari i zakonshëm shqiptar tatohet disa herë më shumë se biznesi në raport me atë që fiton. Ky është një sistem i padrejtë dhe FMN-ja sugjeroi rishikimin e taksës së sheshtë. Kjo qeveri i ka rritur të gjitha taksat, përveç një takse, taksën e të pasurve. Ndërkohë që tendenca në të gjithë botën e qytetëruar është që të ketë një raport më të drejtë të pagimit të taksave. Besoj se i keni ndjekur iniciativat e fundit në SHBA për rritjen e tatimit të të pasurve.
Vetëm nga tatimi më i drejtë mbi fitimin e kompanive buxheti do të përfitonte të paktën 200 milionë euro plus, të cilat sot ose shpërndahen si dividendë në duar të vetëm pak individëve, ose transferohen si fitim kompanish jashtë vendit, se investimet private në vend kanë mbetur në nivele të ulëta, pasi taksa e sheshtë nuk po jep efekt në rritjen e investimeve në total. Për më tepër vetëm sa ka rritur kursimet e një pjese të vogël të popullsisë. Sot 4% e popullsisë zotëron 50% të totalit të depozitave bankare, kjo tregon qartë çka është duke ndodhur me qytetarin e zakonshëm.
Është urgjente që të ketë një pakt për uljen e borxhit. Nuk mund të ndiqet varianti grek i parakrizës, me shkëlqim e zhvillim fals, të gënjeshtër dhe të pabazuar, dhe pastaj të përballemi me skenarë të tmerrshme të reduktimit. A thua se pak po vuan qytetari shqiptar sot me çmimet tri herë të rritura të naftës, të energjisë, të ushqimeve, të ilaçeve etj.
Sugjerimet e FMN-së nuk janë thjesht sugjerime, por janë orientime për të frenuar një rënie të mëtejshme. Sugjerimet e FMN-së kanë të bëjnë me rritje të qëndrueshme ekonomike dhe shëndetshmëri të financave publike përtej spazmave politike të radhës.
Nëse në vitin 2010 u rrit eksporti i energjisë dhe i mineraleve (kërkesa e jashtme), sot që për shkak të thatësirës dhe të një mijë halleve të tjera, kjo do të jetë e vështirë, çfarë burimi do të ketë rritja ekonomike? Turizmi??? Nuk duhet të bëjmë shaka me këtë pikë. Shihni raportin e BSH ku thotë qartë që të ardhurat nga turizmi janë më të ulëta dhe të pasigurta. E ndërkohë fuqia blerëse e qytetarit të zakonshëm, e atij që do të përbënte motorin e kërkesës së brendshme, pra të konsumit në përgjithësi, ka rënë ndjeshëm.
Besoj se përtej propozimeve të FMN-së dua të bëj edhe disa propozime të tjera, që në afatmesëm mendoj se do të duhet të ndodhin për të garantuar transparencë në bërjen e financave publike.
Së pari, në varësi të Parlamentit duhet të ngrihet zyra e kontrollit të buxhetit, si një departament me staf të kualifikuar, me eksperiencë dhe të trajnuar, i cili do të duhet të debatojë paraprakisht draft-buxhetet dhe të certifikojë në debat me qeverinë, pra me Ministrinë e Financave të gjitha të dhënat bazë të buxhetit, si dhe detajet e politikave fiskale, apo prioritetet në shpenzime. Një zyrë e tillë funksionon në mënyrë ekselente në Kongresin Amerikan dhe në shumë parlamente të konsoliduar. Së dyti, Instituti i Statistikës duhet të ketë varësi dhe monitorim nga Parlamenti, për të garantuar transparencë të metodologjisë dhe shifrave që përpunon e publikon. Së treti, qeveria duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për shëndetshmërinë e sektorit financiar, sepse është qeveria që përgjigjet përpara qytetarit në rastet e krizës apo falimentimit. Sigurisht kjo pa cenuar asnjë milimetër pavarësinë dhe objektivat e këtij sistemi.
Në këtë pikë po debatohet rreth mundësisë së përcaktimit të borxhit me Kushtetutë. Si ju duket kjo ide?
Vendosja e borxhit në Kushtetutë ka dalë si ide muaj më parë në Bashkimin Europian, dhe kjo ka ardhur si rezultat i daljes së borxhit të vendeve të ndryshme jashtë kontrollit. Por në Bashkimin Europian vendimmarrjet financiare dhe fiskale kanë qenë ekskluzivisht në duar të vendeve anëtare, dhe vende të ndryshme kanë abuzuar me ‘shëndetin’ e buxheteve, duke menduar vetëm politikisht dhe në mënyrë populiste. Dhe për të frenuar këtë që të ndodhë sërish, mendojnë futjen e kufizimit të nivelit të borxhit në Kushtetutë.
Mendoj që Shqipëria ka nevojë për fleksibilitet fiskal dhe monetar, me nivele të ulëta të deficitit dhe të borxhit sigurisht. A do të ishte një opsion futja në Kushtetutë? Mund të ishte patjetër, por mendoj që sot do të duhet të mendojmë në mënyrë urgjente uljen e borxhit në nivelet nën 50%, dhe reduktim cilësor të deficitit deri në 3%, pa cenuar rëndë zhvillimin dhe injektimin e investimeve publike në ekonomi. Kjo do të kërkojë një revolucion në administrimin fiskal dhe rregullime në politika fiskale. E dini se sa e ka nivelin e të ardhurave në % të PBB Greqia? E ka 39% të GDP, ndërsa ne e kemi vite dritë larg, nën 27% të PBB.
Të kthehemi te pyetja juaj, mendoj që akoma nuk do të duhet ta kufizojmë në Kushtetutë, por do të duhet ta ulim urgjent nën 50%, dhe po me kaq urgjencë të përmirësojmë përbërjen e borxhit në raporte në favor të borxhit afatgjatë.
Cili është komenti juaj kur dëgjon shpesh ministrin e Financave se socialistët e lanë borxhin në nivel 80%, ndërsa tani është 60%?
Kjo është një gënjeshtër cinike dhe e vërtetueshme. Borxhi në vitin 1997 ka qenë 84.6%, kur e la PD pushtetin, dhe kur PD e mori pushtetin në 2005, ishte nën 55% të PBB, ndërkohë nivelet e rritjes ekonomike ishin mesatarisht 5-6%. Siç e shihni borxhi publik sot është më i lartë se niveli i atij të 2005, e ndërkohë rritja ekonomike mesatare nuk kalon 3%.
Përtej kësaj mendoj se ka një nevojë urgjente për të adresuar problematikën e financave publike dhe ekonomisë shqiptare. Sot politika shqiptare dhe institucionet përgjegjëse do të duhet të mendojnë thellësisht dhe me qartësi se cilat do të jenë burimet e rritjes ekonomike në të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesme, si do të përballohet kriza në sektorë të ndryshëm, si ai i ndërtimit që dikur ka dhënë rreth 25% të totalit të rritjes, sot është në krizë të plotë, si do të përballohet ngërçi fiskal dhe cilat janë politikat e masat që duhen ndërmarrë, si do të duhet të ulet borxhi me urgjencë pa cenuar investimet e nevojshme publike, e të tjera si këto.
Raporti i FMN mendoj është një paralajmërim, jo i pangjashëm me paralajmërime të viteve të kaluara si ai i 1996, dhe mendoj se do maturi, qartësi politike dhe kurajë për të reflektuar në favor të qytetarit shqiptar, sot, sa nuk është vonë.
Top Channel