Parisi është tronditur mëngjesin e së mërkurës pasi një grua ka tentuar t’i vërë flakën vetes përpara selisë së pallatit Elize.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave gruaja, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, ka marrë një sërë plagësh.
Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë zjarrfikësit, që i dhanë ndihmën e parë gruas që kishte organizuar aktin pasi ishte e pastrehë.
Më herët gjatë muajit, një ngjarje e ngjashme tronditi Francën, pasi një mësuese e një shkolle 8-vjecare në qytetin Beziers i vuri flakën vetes duke shkaktuar panik mes nxënësve.
Ngjarja ndodhi më 14 tetor dhe mësuesja shpëtoi falë ndërhyrjes së disa prindërve të nxënësve të shkollës.
44-vjeçarja spërkati veten me benzinë dhe më pas i vuri flakën vetes me një cakmak brenda ambienteve mësimore, pak pas një mosmarrëveshje me disa nxënës.
Ministri francez i Arsimit e konsideroi këtë ngjarje si një “akt të dëshpëruar”. Pasi vizitoi spitalin, ai e përshkroi gruan si “në një moment të jashtëzakonshëm paqëndrueshmërie psikologjike”.
Menjëherë pas ngjarjes, mediat franceze ngritën pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes së mësuesve në shkollat e vendit.
Top Channel