Uragani “Rina” është formuar në perëndim të Karaibeve, duke kërcënuar me shira të dendura dhe erëra të fuqishme në jug të Meksikës dhe në Amerikën Qendrore.
Një mjet lundrues nga Nikaragua, që po evakuonte banorët e një lokaliteti bregdetar, është zhdukur bashkë me 27 persona që kishte në bord.
Aktualisht “Rina” po drejtohet për në Belize dhe gadishullin meksikan të Jukatanit, ka bërë të ditur Qendra amerikane për Uraganët.
Pjesa më e madhe e Amerikës Qendrore është tashmë e mbuluar nga uji për shkak të rrebeshit të fortë që vrau rreth 100 persona.
Fillimisht “Rina” ishte një stuhi. Ajo u lokalizua 310 kilometra në jug-perëndim të ishullit Gran Kajman dhe pritej të kthehej në një uragan të madh teksa lëvizte drejt tokës fikse.
Në Ishujt Kajman shirat pritet të jenë nga 5 deri në 10 centimetra. Autoriteteve në Belize dhe në gadishullin e Jukatanit, një destinacion i njohur turistik, u është kërkuar të monitorojnë situatën.
“Rina” fitoi fuqi me shpejtësi teksa po lëvizte për në brigjet e Hondurasit dhe Nikaraguas si një stuhi tropikale.
Top Channel