Tunizi, islamikët e moderuar shpallin fitoren

25/10/2011 09:15

Partia islamike e moderuar në Tunizi, Ennahda, shpalli fitoren në zgjedhjet e para demokratike të vendit.

Rezultatet zyrtare pritet të shpallen gjatë së martës, por ato paraprake sugjerojnë se Ennahda do të fitojë shumicën e votave.

Rivali i saj kryesor, partia laike e qendrës së majtë PDP, pranoi humbjen në këtë proces. Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan zhvillimin e zgjedhjeve të së dielës si një proces të lirë dhe të ndershëm, që shënoi një pjesëmarrje rekord.

Ish-presidenti Ben Ali u rrëzua nga pushteti nëntë muaj më parë, pas protestave masive dhe pasi qeverisi vendin për 23 vjet me radhë.

Ndryshe nga fqinji lindor, Libia, tranzicioni i Tunizisë për kalimin e pushteti ka qenë në përgjithësi paqësor, me përjashtim të disa protestave.

Liderët e Ennahda-s premtuan se do të krijojnë një shtet multipartiak, demokraci laike dhe joislamik.

Një zëdhënës i partisë, Yusra Ghannouchi, tha: “Tunizianët votuan për ato parti që kanë qenë pjesë e betejës për demokraci dhe që kundërshtuan diktaturën e Ben Ali”.

“Në krye të këtyre partive është Ennahda dhe ne besojmë se ashtu sic pritej, ajo ka marrë pjesën më të madhe të votave”, deklaroi Ghannouchi.

Tunizianët votuan për zgjedhjen e 217 anëtarëve të Parlamentit, që do të hartojë një kushtetutë dhe do të caktojë një president të përkohshëm, i cili do të formojë qeverinë e re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA