![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/acb21b1b-067f-4ad1-8179-08dd4a843460_cx0_cy4_cw0_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Televizionet arabe pretendojnë se kanë gjetur vend-varrosjen e Gadafit në shkretëtirë. Në disa prej tyre janë transmetuar pamje ku tregoheshin gjurmë të një kalvari makinash, të cilat dyshohet se kanë transportuar trupin e Gadafit dhe të djalit të tij, të varrosur në fshehtësi në orët e para të ditës së martë.
Varrosja e Gadafit i dha fund dilemës së udhëheqësve të Këshillit Kombëtar Tranzitor, autoriteti udhëheqës në Libi, se cfarë të bënte me trupin e ish-diktatorit. Pas vrasje së Gadafit të enjten e kaluar, u hodhën mjaft hipoteza për mënyrën e varrosjes së tij, madje në qarkullim ishte edhe ideja e varrosjes në det, e njëjtë me atë të ish-kreut të Al Kaedas, Osama Bin Laden.
Ndërkohë, familjarët e Gadafit kërkuan vazhdimisht që ai të varrosej në afërsi të vendlindjes së tij, Sirte, qytet ky që u shndërrua në fortesën e fundit të kolonelit ndaj trupave të kryengritësve.
Top Channel