
Evenimentet e mëdha të peshëngritjes po afrojnë. Më 5 nëntor, në Paris,
fillon kampionati botëror, rezultatet e të cilit do të jenë të
rëndësishme për ata që do të mund të sigurojnë kualifikimin për në
Lojërat e Olimpike Londër 2012.
Ata që do të duhet të ngjiten në pedanë me objektivat për të nderuar edhe emrin e Shqipërisë në këtë kompeticion, vazhdojnë të vuajnë probleme të ndryshme e shumë burokratike, të cilat nuk janë aspak stimuluese për paraqitjet e tyre të mira.
Peshëngritësit e përzgjedhur për të marrë pjesë në Botërorin e Parisit kanë rreth gjashtë muaj pa u paguar. Lajmi është bërë publik dje, nga drejtuesit e ekipit kombëtar të peshëngritjes. Ai që pranoi të prononcohej për këtë çështje, ishte trajneri i kombëtares së shtangës, Genc Barkiçi.
“Më vjen keq që duhet ta pranojmë një fakt të tillë, por kjo është e vërteta”, theksoi në deklaratën e tij, trajneri Barkiçi, i cili më pas denoncoi: “Sportistët e përzgjedhur për në Botërorin e Parisit, së bashku me trajnerët nuk janë paguar që prej gjashtë muajsh”. Atyre u është premtuar se këto para do t’i marrin shumë shpejt, gjithsesi dita për të udhëtuar drejt Parisit po afron. “Presidenti Ademi na ka premtuar, se do t’i marrim rrogat para se të nisemi për në Botëror”, sqaroi më tej Barkiçi. Ai shtoi se me gjithë problemet, peshëngritësit nuk kanë hequr dorë për asnjë moment nga stërvitja me seriozitet e profesionalizëm. “Të them të drejtën, sportistët së bashku me trajnerët janë të motivuar dhe unë i falënderoj për këtë, sepse e kanë në gjak këtë sport. Po sakrifikojnë shumë, por gjithsesi ne do t’ia dalim”, përfundoi trajneri Barkiçi. Ekipi kombëtar përbëhet nga gjashtë peshëngritës meshkuj dhe katër femra. Pritshmëritë janë të mëdha nga të dyja palët, por mbi të gjitha nga meshkujt.
Top Channel