Shumica e fluturimeve për në Bangkok janë pezulluar për shkak të përmbytjeve që kanë pushtuar një pjesë të mirë të kryeqytetit tajlandez, ndërsa gjendja bëhet gjithmonë e më e rënduar, raportojnë mediat ndërkombëtare të martën.
Aeroporti i dytë i kryeqëndrës me mbi tetë milion banorë, i ndodhur në zonën veriore të qytetit është mbyllur plotësisht, ndërsa kjo pjesë e Bangkokut ndodhet pothuajse e gjitha nën ujë.
Aeroporti kryesor, në të cilin ulen linjat ndërkombëtare, shënon gjithashtu një numër të lartë anullimesh të fluturimeve, ndërsa vonesat janë bërë të zakonshme.
Që prej fillimit të përmbytjeve, 360 persona janë konfirmuar të vdekur, por pritet që bilanci tragjik të rëndohet, ndërsa ujrat janë zhvendosur në disa prej zonave me popullsinë më të dendur të kryeqytetit.
Zyrtarët u përpoqën të mbanin përmbytjet larg zonave perëndimore dhe jugore të Bangkokut, duke mbajtur të mbyllur një digë, por si rrjedhojë e prurjeve të mëdha u detyruan më pas që të linin ujin të kalonte.
Ndërkohë, gjatë të martës, qeveria tajlandeze miratoi një paketë prej më shumë se dhjetë miliardë dollarësh, që do të ndihmojë në rindërtimin e vendit, kryesisht e destinuar për të rimëkëmbur ekonomitë e vogla dhe të mesme të shkatërruara nga tërbimi i natyrës.
Top Channel