Libi, shpërthen cisterna, mbi 50 të vdekur

25/10/2011 00:00

Një cisternë me karburant ka shpërthyer në qytetin libian të Sirtes, duke lënë të vdekur mbi 50 persona.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat u referohen autoriteteve dhe banorëve lokalë.

Komandanti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Leith Mohammed tha se shpërthimi ndodhi vonë gjatë ditës së hënë.

“Në fillim ndodhi shpërthimi dhe më pas u ngrit një zjarr i madh. Atje ndodheshin dhjetëra trupa të tjegur”, citohet Mohammed nga agjencia e lajmeve “AFP”.

Shpërthimi ndodhi teksa një turmë e madhe njerëzish ndodheshin pranë cisternës për të furnizuar me karburant automjetet e tyre.

Numri i saktë i personave që kanë mbetur të vrarë nga shpërthimi nuk është ende i qartë. Sipas televizionit Al-Rai, bëhet fjalë për mbi 100 viktima.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin njerëz që mbanin në duar trupat e njerëzve të tyre të gjakosur, ndërkohë që tymi ngrihej lartë.

Top Channel