Itali, qeveria Berlusconi në rrezik

25/10/2011 14:55

Qeveria italiane rrezikon të bjerë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi reformat ekonomike, ka paralajmëruar një nga aleatët kyc të kryeministrit Silvio Berlusconi.

Lideri i partisë Lega Nord, Umberto Bossi deklaroi se qeveria është në rrezik dhe se vendi ndodhet në “kohë të rrezikshme”.

Partia e tij, një aleat i rëndësishëm në koalicionin qeveritar, ka refuzuar propozimet për rritjen e moshës së pensionit në 67 vjec.

Partnerët evropianë të kryeministrit Berlusconi kanë kërkuar prej tij veprime konkrete brenda së enjtes në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e tregjeve.

Në një samit të mbajtur gjatë fundjavës, zoti Berlusconi u ironizua publikisht nga presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ata thanë se është jetike që borxhi publik i Italisë të reduktohet në një kuotë të besueshme në vitet e ardhshme.

Italia, vendi me ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës, duhet të kthejë rreth 600 miliardë euro në obligacione në tre vitet e ardhshme për të rifinancuar borxhin e rritur.

Rritja e moshës së pensioneve është një nga reformat kyce ekonomike të kërkuara nga partnerët në Bashkimin Evropian në këmbim të mbështetjes për obligacionet.

Por zoti Bossi e ka hedhur poshtë idenë e shumëpërfolur për një qeveri teknike, të përbërë nga ekspertë për të cuar përpara reformat.

“Qeveria është në rrezik. Situata është shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme. Jemi në një moment dramatik”, ka deklaruar Bossi për gazetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA