Në komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit, opozita me kërkesë të deputetit Fidel Ylli kishte kërkuar një seancë dëgjimore me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotin Aldo Bumçi.
Në kërkesën e dërguar ministrit i është kërkuar dhënia e informacionit për disa pika shqetësuese për sportin, ku ndër më kryesoret ishte mungesa e infrastrukturës dhe projekteve.
Ndërkohë që zoti Bumci ka dhënë sqarime rreth projekteve më të rëndësishme që ka MTKRS-ja: “Projekti më i rëndësishëm është rindëtimi i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Qeveria ka vendosur një fond prej 300 milionë lekësh të reja.” Një projekt tjetër është ndërtimi i një fshati turistik aty ku ndodhej kompleksi “Dinamo”. Projekti është gati dhe priten vetëm donatorët. Gjithashtu do të rikontruktohet Pallati i Sportit “Asllan Rusi”.
Ndërkohë që ka përmendur gjithashtu investimet e bëra dhe paratë e shpenzuara në disa fusha e stadiume si ai i Beratit, Durrësit apo Elbasanit, megjithatë nuk mungonin edhe investime të tilla si në fushën e sportit të Sukthit, Fushë-Krujës apo Thumanës.
Ndërkohë, deputeti Ylli rikthekson edhe një herë se problemet më kryesore janë ato të zhdukjes së ambienteve sportive në kryeqytet e klubeve të mëdha kryeqytetase: “Unë nuk di që të jetë ndërtuar ndonjë pallat sporti apo stadium enkas ku të stërviten talentet. Dy klube të mëdha si Partizani dhe Dinamo janë shkatërruar.”
Largimi i mundësit Elis Guri dhe shpallja e tij kampion me Bullgarinë ishte një problematikë që nuk mbeti pa u diskutuar, por ndërkohë që ministri Bumçi theksoi se nuk është tërësisht kompetencë e Ministrisë e aq më tepër në një periudhë të tillë të liberalizimit të vizave, deputeti Ylli e gjen diku tjetër problemin e mosfunksionimit të ingranazheve nga MTKRS tek federatat.
“Një sportist si Elis Guri i vjen Shqipërisë 1 herë në 100 vjet kurse ju thoni se me iberalizimin e vizave mund të ikë kushdo. Sportistë të tillë do të largohen gjithmonë nëse bëjnë llogari të thjeshta. Këtu mungojnë pagesat dhe shpërblimet për ta”, u shpreh deputeti socialist Fidel Ylli.
Top Channel