“Wikileaks” do të pezullojë publikimin e dosjeve të klasifikuara që zotëron, si rrjedhojë e shterimit të burimeve financiare. Kështu u lajmërua papritmas të hënën në faqen e internetit që ka tronditur botën gjatë 2011-s.
Megjithatë, website i drejtuar nga Julian Assange shtoi se veprimtaria mund të rifillojë përsëri, nëse do të sigurohen të ardhura të reja nga donacionet.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë urdhëruar të gjitha kompanitë amerikane që të pezullojnë çdo operacion biznesi me “Wikileaks”, e cila ka siguruar një arkiv të jashtëzakonshëm dokumentash që ambasadat amerikane i dërgonin Washington-it, dosje të cilat i ka publikuar në vazhdimësi.
Themeluesi i website-t, Julian Assange, deklaroi në dhjetor 2010 se “një bllokadë e pajustifikuar dhe e paligjshme” është vendosur mbi “Wikileaks” nga Banka e Amerikës, Visa, MasterCard, PayPal dhe Western Union.
”Sulmi financiar ka shkatërruar 95% të burimeve tona financiare”, lajmëroi Assange. “Kemi shpenzuar pothuajse të gjitha donacionet, me miliona dollarë, që kanë shkuar për të mbuluar kostot e larta të operacioneve tona”.
Në kabllogramet e publikuara prej “Wikileaks”, pak javë më parë në shënjestër u vendos edhe Shqipëria, me publikimin e dokumenteve kritike të ish-ambasadorit Withers, ndaj qeverisë Berisha për çeshtje si Gërdeci apo 21 janari.
Top Channel