Topi çon kuvendin në Kushtetuese

24/10/2011 19:55

Presidenti i Republikës Bamir Topi vlerëson se Kuvendi i ka marrë atij kompetencën kushtetuese të dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në c’mënyrë? Duke vendosur më 23 qershor të këtij viti, që të pezullojë shqyrtimin e dekreteve për gjyqtarët e rinj.

Burime pranë Gjykatës Kushtetuese konfirmojnë se të hënën u ka mbërritur një kërkesë e Presidentit, që kërkon shfuqizimin e këtij vendimi të Kuvendit.

Për të kuptuar pse Kuvendi është sjellë në këtë mënyrë, le të shohim shkurtimisht cfarë ka ndodhur: Në prill të vitit 2010, Gjykata, sic parashikohet në Kushtetutë, u shpreh me vendim për mbarimin e mandatit të 4 anëtarëve të saj.

Presidenti, sipas detyrimit të tij kushtetues, i dërgoi Kuvendit katër emra të rinj. Kushtetuta thotë se mandati i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjecar. Por 1/3 e anëtarëve ripërtërihet një herë në tre vjet.

Për shkaqe të kalendarit, kjo ripërtëritje nuk është bërë kurrë. Ndaj një grup deputetësh demokratë i kërkuan vetë gjykatës që të bëjë një interpretim në lidhje me ripërtëritjen e anëtarëve të saj.

Më 9 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese tha se i takon ligjvënësit që të gjejë mekanizmin për të bërë të mundur ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Atëherë mekanizmi që gjeti Kuvendi, ishte të miratonte vetëm një nga katër emrat që i kishte dërguar Presidenti, Fatmir Hoxhën dhe të kthente mbrapsht 3 të tjerët.

Kuvendi i tha Presidentit se e pezullonte procedurën e shqyrtimit të tre emrave të tjerë, deri në vitin 2013. Në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit ka pasur një korrespondecë mes Presidencës dhe Kuvendit për këtë cështje.

Presidenti vlerësonte se ky ishte një mekanizëm i gabuar. Duke qenë se të dy institucionet janë shumë larg në qëndrimet e tyre, Presidenti firmosi të hënën kërkesën për Gjykatën Kushtetuese për shfyqizimin e vendimit të Kuvendit.

Kërkesa e Presidentit ka 4 argumente: Së pari, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuse që u ka mbaruar mandati 9 vjecar, por që janë ende në detyrë, mandati u zgjatet de facto deri në 13 vjet.

Vërtet kushtetuta thotë se anëtarët e gjykatës kushtetuese qëndrojnë në detyrë deri në rizgjedhjen e anëtarëve të rinj, por kjo ka të bëjë me kohëzgjatjen e procedurave dhe jo me pezullimin e procedurave.

Së dyti, kjo zgjatje de facto e mandatit të atyre gjyqtarëve që u ka mbaruar, bëhet jo me një ndryshim ligjor, por me një vendim.

Vendimet argumenton presidenca, kanë karakter të brendshëm dhe nuk mund të përcaktojnë rregulla sjelljeje të përgjithshme, as për individë as për subjekte.

Së treti, duke pezulluar procedurën e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit, Kuvendi i thotë kreut të shtetit të mos i dërgojë më emra.

Presidenti vlerëson se në këtë mënyrë Kuvendi i merr atij një kompetencë që ia jep Kushtetuta automatikisht, sapo mbaron mandati i një anëtari të gjykatës kushtetuese.

Dhe së fundi, vendimi i Kuvendit, që zgjat, pa bazë ligjore mandatin e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vë në dyshim vetë punën e Gjykatës. Burime nga Gjykata Kushtetuese thonë se kjo kërkesë do të shtyrtohet në ditët në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA