Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr ambasadorin e tyre nga Siria, si rrjedhojë e shqetësimeve për sigurinë e tij, lajmëroi Departamenti i Shtetit të hënën.
Ambasadori Robert Ford ngjalli zemërimin e autoriteteve siriane, pasi shprehu hapur simpatinë e tij për aktivistët e përfshirë në lëvizjet demokratike, kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
”Ford është larguar nga Damasku pas kërcënimeve të jashtëzakonshme për jetën e tij”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Tërheqja e ambasadorit shënon një tjetër degradim në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Sirisë, edhe pse Uashingtoni është treguar i kujdesshëm që të theksojë se ky nuk është një veprim diplomatik, por i motivuar vetëm nga arsyet e sigurisë.
“Ford mbetet ambasadori ynë në Siri dhe nuk do të ketë një zëvendësues për të. Rikthimi i tij në Damask do të varet vetëm nga garancitë që duhet të japë regjimi për të siguruar integritetin e përfaqësuesit të Uashingtonit në vend”, shtoi zëdhënësi.
Ford, një folës i shkëlqyer i gjuhës arabe dhe ish-ambasador në disa vende të tjera të Lindjes së Mesme, ka shprehur publikisht solidaritetin e tij për protestuesit kundër presidentit Bashar al-Assad.
Ai ka paralajmëruar për rrezikun e shpërthimit të një lufte fetare në vend, nëse autoritetet siriane do të vazhdojnë të shtypin me dhunë të gjitha lëvizjet për më shumë demokraci. Më shumë se tre mijë viktima janë regjistruar deri tani, në përleshjet e civilëve me forcat e sigursë.
Top Channel