
Trupat e ekzekutuar të 53 mbështetësve të Gaddafit janë gjetur në një hotel të braktisur në qytetin e Sirtes, informoi të hënën një grup për të drejtat e njeriut.
”Human Rights Watch” shtoi se ekzekutimet janë kryer rreth një javë më parë. Lajmi përbën një goditje të radhës për rebelët, në qendër të kritikave për ekzekutimin e Gaddafit dhe djalit të tij, të cilët u dorëzuan të paarmatosur.
Pavarësisht përgëzimit për përfundimin e konfliktit libian, kancelaritë e vendeve perëndimore theksuan se do të kishin preferuar që koloneli t’i ishte dorëzuar një gjykate ndërkombëtare.
Më shumë se 30 mijë libianë kanë humbur jetën në luftën civile të tetë muajve të fundit, ndërsa pas fitores së rebelëve, duket se ka nisur një fushatë e ashpër hakmarrje dhe spastrimi ndaj mbështetësve të kolonelit.
Qeveria e përkohshme që drejton vendin është distancuar nga masakra të tilla dhe i ka kërkuar të gjithë trupave të saj që të mos kryejnë raprezalje që vetëm sa do të shtonin plagët e popullit libian.
Lajmi i zbulimit të 53 trupave të ekzekutuar rrit presionin ndërkombëtar për të dislokuar një trupë paqeruajtëse në vend.
”Disa i kishin duart të lidhura dhe pothuajse të gjithë kishin vdekur nga një plumb i vetëm në kokë. Kjo ngjarje kërkon vëmendjen e menjëhershme të autoriteteve, për të vendosur përpara ligjit të gjithë përgjegjësit e kësaj masakre çnjerëzore”, tha Peter Bouckaert, një prej drejtuesve të organizatës humanitare, në një komunikatë të publikuar për shtyp.
“Spiunët” gjermanë zbuluan Gadafin
Revista gjermane “Spiegel” shkruan në një numër të saj se kanë qenë agjentët e shërbimit sekret gjerman, GND ata të cilët kanë lokalizuar vendndodhjen e Gadafit.
“Spiegel” shkruan se GND u ka kaluar informacionin në lidhje me vendndodhjen e ish-liderit libian rebelëve. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e Gadafit, kryengritësit libianë kanë nisur një sulm masiv kundrejt pozicioneve ku ai dyshohej se fshihej. Në operacion mbetën të vrarë truprojat e Gadafit, zëdhënësi i tij, ndërsa ai vetë u zu rob, për t’u ekzekutuar më vonë nga luftëtarët e KKT-së.
Agjencia gjermanë e inteligjencës, GND ka hedhur poshtë pretendimet e revistës “Spiegel” duke nënvizuar se nuk ka patur informacion mbi vendndodhjen e Gadafit, e jo më të informonte kryengritësit për këtë detaj.
I biri i Gaddafi-t strehohet në Darfur
Saif al Islam, i biri i kolonelit Muammar Gaddafi, ndodhet në Darfurin sudanez, nën mbrojtjen e Khalil Ibrahim, lider i lëvizjes Drejtësi dhe Barazi.
Lajmin e bën të ditur një e përditshme sudaneze, sipas të cilës Saif ka arritur në darfur pasi u arratis më 27 gusht me një autokolonë prej gjashtë makinash të blinduara.
Sipas të njëjtit burim, i biri i kolonelit kaloi nga Sirte përmes zonës së Baut, në kufirin mes Libisë dhe Chadit. Darfuri është kthyer në një strehë për shumë të kërkuar nga KKT-ja.
Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, por edhe vendet perëndimore që mbështetën revoltën, druhen se duke qenë gjallë, Saif mund të nxisë mbështetësit e mbetur të të atit.
Dyshohet se ai do të përpiqet të bashkohet me vëlllain Saadi, 38-vjecar, i cili u arratis në Niger që në muajin shtator, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë të regjimit dhe disa milionë dollarë.
Ndërkohë, ditën e shtunë, tribuja e kolonelit Gaddafi propozoi pikërisht Saif al Islam si pasuesin e të atit, “për të luftuar ata që bënë revolucionin me NATO-n”.
Top Channel