Mesfushori i Milanit, Ivan Gennaro Gatusso, do të vazhdojë të luajë futboll, pavarësisht problemit që e ka dëmtuar ndjeshëm aftësinë e tij për të parë nga syri i majtë.
Në një konferencë për shtyp nga Milano, mesfushori fillimisht i dedikoi një lutje mikut të tij milanist, Simoncellit, ndërsa u ndal gjerësisht tek e ardhmja e tij: “Po luftoj me një sëmundje të padukshme. Nuk është e bukur t’i shohësh gjërat të dyzuara, por kam besim që gjithçka do të zgjidhet së shpejti. Ka qenë një periudhë e vështirë për mua, në të cilën kam patur kohën të mendoj për shumë gjëra, por asnjëherë për tërheqjen”.
Duke shpjegoi arsyet e mbledhjes së gazetarëve, disa prej të cilëve kishin parashikuar se Gatusso do të shpallte tërheqjen nga futbolli në këtë konferencë, mesfushori i Milanit u shpreh: “Pas 45 ditësh në të cilat kam dëgjuar thashetheme pa fund rreth të ardhmes sime, mendova që sqarimi i pozicioneve ishte bërë i domosdoshëm. Kam kaluar shumë gjëra në karrierë dhe ju garantoj që duhet shumë më tepër se kaq për të më mposhtur”.
Top Channel