Një luftëtar rebel libian ka publikuar një video në internet, në të cilën pretendon se ishte ai njeriu që vrau ish-diktatorin Muammar Gaddafi.
I riu, identiteti i të cilit nuk dihet edhe pse është i fotografuar dhe i filmuar duke rrahur kolonelin, theksoi se vendosi të qëllonte Gaddafin pasi nuk mund të duronte dot idenë që ai të vazhdonte të jetonte pas gjithë të këqijave që kishte bërë.
“E kapëm dhe e qëllova me shqelm në fytyrë. Në atë moment, disa luftëtarë të tjerë po thonin që ta çonin në një vend të sigurt për ta burgosur. Nxorra pistoletën dhe e qëllova dy herë, në kokë dhe në bark. Ai duhet të paguante për të gjithë viktimat që ka shkaktuar”, thotë ekzekutori në videon e regjistruar.
Për të provuar vërtetësinë e videos, rebeli tregon atë që ai pretendon se është bluza e përgjakur që mbante të veshur Gaddafi në momentin e ekzekutimit dhe gjithashtu shfaq një unazë të artë, edhe ajo e marrë nga viktima.
Ndërsa sekuenca e ngjarjeve që çoi në vrasjen e Gaddafit nuk është qartësuar ende, video e publikuar së fundmi më rrjet tregon pamjet më të egra të regjistruara ndonjëherë, të dhunës së cilës iu nënshtrua diktatori në momentin e zënies rob. Në fund, ajo mbyllet me një të ri që bërtet “Allahu është i Madh”, ndërsa në sfond dëgjohet një krismë e mbutur, që presupozohet se është ajo që i morri jetën diktatorit 69-vjeçar.
Libi, ekzekutohen 53 mbështetës të Gaddafit
Trupat e ekzekutuar të 53 mbështetësve të Gaddafit janë gjetur në një hotel të braktisur në qytetin e Sirtes, informoi të hënën një grup për të drejtat e njeriut.
”Human Rights Watch” shtoi se ekzekutimet janë kryer rreth një javë më parë. Lajmi përbën një goditje të radhës për rebelët, në qendër të kritikave për ekzekutimin e Gaddafit dhe djalit të tij, të cilët u dorëzuan të paarmatosur.
Pavarësisht përgëzimit për përfundimin e konfliktit libian, kancelaritë e vendeve perëndimore theksuan se do të kishin preferuar që koloneli t’i ishte dorëzuar një gjykate ndërkombëtare.
“Spiunët” gjermanë zbuluan Gadafin
Revista gjermane “Spiegel” shkruan në një numër të saj se kanë qenë agjentët e shërbimit sekret gjerman, GND ata të cilët kanë lokalizuar vendndodhjen e Gadafit.
“Spiegel” shkruan se GND u ka kaluar informacionin në lidhje me vendndodhjen e ish-liderit libian rebelëve. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e Gadafit, kryengritësit libianë kanë nisur një sulm masiv kundrejt pozicioneve ku ai dyshohej se fshihej. Në operacion mbetën të vrarë truprojat e Gadafit, zëdhënësi i tij, ndërsa ai vetë u zu rob, për t’u ekzekutuar më vonë nga luftëtarët e KKT-së.
Agjencia gjermanë e inteligjencës, GND ka hedhur poshtë pretendimet e revistës “Spiegel” duke nënvizuar se nuk ka patur informacion mbi vendndodhjen e Gadafit, e jo më të informonte kryengritësit për këtë detaj.
I biri i Gaddafi-t strehohet në Darfur
Saif al Islam, i biri i kolonelit Muammar Gaddafi, ndodhet në Darfurin sudanez, nën mbrojtjen e Khalil Ibrahim, lider i lëvizjes Drejtësi dhe Barazi.
Lajmin e bën të ditur një e përditshme sudaneze, sipas të cilës Saif ka arritur në darfur pasi u arratis më 27 gusht me një autokolonë prej gjashtë makinash të blinduara.
Sipas të njëjtit burim, i biri i kolonelit kaloi nga Sirte përmes zonës së Baut, në kufirin mes Libisë dhe Chadit. Darfuri është kthyer në një strehë për shumë të kërkuar nga KKT-ja.
Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, por edhe vendet perëndimore që mbështetën revoltën, druhen se duke qenë gjallë, Saif mund të nxisë mbështetësit e mbetur të të atit.
Top Channel