Tregjet financiare janë në pritje të vendimit të mundshëm për një marrëveshje ose jo mbi krizën e borxheve në Eurozonë, ndërsa bursat kanë ruajtur kuotimet e tyre gjatë së hënës.
Ndonëse bisedimet e fundjavës nuk sollën asnjë përfundim, u arrit të miratohej një planveprimi dhe pritet që detajet e marrëveshjes të finalizohen të mërkurën.
Udhëheqësit e shteteve të Eurozonës ranë dakord që të forcojnë ligjet që do të detyrojnë bankat të mbrohen më mirë nga humbjet e mundshme të së ardhmes, ndërsa është aprovuar në parim edhe grumbullimi i një fondi emergjence, që do të përdoret në rastin e ndonjë kolapsi të mundshëm të financiar të ndonjë shteti tjetër.
Megjithatë, vazhdon përplasja në koncept midis Presidentit Frances, Nicolas Sarkozy dhe Kancelares Gjermane, Angela Merkel.
Të hapura me lajmet e mira të marrëveshjes në prag të nënshkrimit të saj, bursat europiane fituan deri në 1% në orët e para të ditës, por më pas e humbën këtë fitim, duke qëndruar në vendnumëro.
Rënia u motivua edhe nga publikimi i një raporti financiar, i cili sugjeronte se ekonomia gjermane dhe ajo franceze, dy më të mëdhatë e Eurozonës, po shmangin me vështirësi rënien në recension.
Top Channel