Dy ditë pas vrasjes së Muammar Gaddafit dhe djalit të tij Mutassim, djali i dytë i diktatorit, Saif al-Islam besohet se ka marrë arratinë në shkretëtirë, të cilën është duke u përpjekur ta kalojë për në Niger.
Saif, djali i preferuar i kolonelit, i shkolluar në Britani dhe funksionar i lartë i Libisë pas disa detyrave si Ministër, ndodhej gjithashtu në Sirte, por ka arritur t’i shpëtojë masakrës dhe linçimeve nga ana e turmës.
Nëse lajmi do të konfirmohet, atëherë ai do të përbëjë një goditje të madhe për qeverinë e përkohshme, ndërsa do t’u japë frymëzim të gjithë mbështetësve të Gaddafit.
Një ditë më parë u përhap lajmi se Saif ishte kapur në qytetin Zlitan, 150 kilometra nga Tripoli dhe ishte dërguar në një spital për t’u kuruar nga plagët, por me sa duket raportimet kanë qenë të gabuara.
Duke patur atë që ndodhi me diktatorin dhe të vëllain e Saifit, nëse do të ishte në duart e rebelëve, atëherë me siguri që do të qarkullonin fotografi të tij.
Besohet se Saifi është duke u përpjekur që t’i bashkohet të vëlllait Saadi, 38-vjeçar, i cili u arratis në Niger që në muajin shtator, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë të regjimit dhe disa milionë dollarë.
Saif u bë shkaktar i vendosjes së qeverisë Blair në një skandal të madh politik në vitin 2004, kur pas një takimi me Kryeministrin e atëhershëm britanik, u fol se të dy shtetet kishin firmosur një protokoll të fshehtë, në të cilin trajtohej edhe çështja e shpërthimit në ajër të avionit britanik me pothuajse 300 persona, mbi fshatin skocez të Lokerbisë, vepër e shërbimeve sekrete libiane në vitin 1988.
Top Channel