Me 154 vota pro dhe 144 kundër, paralmenti grek ka aprovuar në tërësi në mbrëmjen e së enjtes projektligjin kaq të diskutuar të masave të ashpra financiare.
Kundër një prej neneve kryesore të tij ka votuar një prej figurave më të shquara të PASOK-ut, ish-ministrja e Zhvillimit, Luka Kaceli dhe disa caste me vonë, kryeministri Papandreu e ka përjashtuar atë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Por edhe titullarë të tjerë të kësaj partie kanë shprehur rezervat e tyre për këtë projektligj.
“Do të votoj pro, por kjo është hera e fundit, pasi unë kam një problem të ndërgjegjes si shumë të tjerë në lidhje me ecurinë që po merr vendi”, deklaroi deputetja e PASOK-ut, Vaso Papandreu.
Kryeministri Papandreu dhe stafi i tij qeveritar janë përpjekur shumë të bindin deputetët e tyre dhe forcat e tjera politike në vend, se miratimi i këtij projekligji përbente kushtin kryesor për marrjen e këstit të 6 të ndihmës dhe se pa të nuk do të kishte të nesërme për Greqinë.
“Populli grek, shoqëria, që demonstrojnë kundër masave të ashpra dhe sakrificave, janë kthyer kundër nesh, sepse ne po votojme në favor të tyre. Por nëse nuk do ta bënim këtë për ata dhe do të conim vendin në një qorrsokak, atehere ata do të na kundërviheshin edhe më tepër dhe do të na kritikonin si të papërgjegjshëm dhe të pafuqishëm për të shpëtuar vendin”, deklaroi para deputetëve, Ministri i Financave, Evangelos Venizelos.
Gjatë gjithë ditës, ndërsa deputetët diskutonin në sallë, paralamenti grek ka qenë i rrethuar për të dytën ditë nga më shumë se 100 mijë protestues.
Pas mesditës protesta ka degjeneruar në dhunë dhe cdo gjë është përfshirë nga kaosi, kur të rinj anarkistë janë përleshur me militantë të Partisë Komuniste.
Në këto përleshje një demostrues, anëtar i Partisë Komuniste ka humbur jetën nga një infarkt në zemer dhe mbi 75 janë plagosur. Policia ka shoqëruar 24 persona,ndërsa ka arrestuar gjashtë të tjerë.
Orët e fundit, informacione që janë publikuar në mediat europiane bëjnë me dije se raporti i “trojkës” i jep dritën jeshile për lëvrimin e këstit të gjashtë të ndihmës për Greqinë me një vlerë prej 8 miliard eurosh.
Por gjithashtu thekson, se niveli i borxhit vazhdon të jetë shqetësues dhe se ai do të mbetet i tillë për shumë vite me radhë, për arsye të zvarritjes në zbatimin e reformave të domosdoshme, cka con edhe në rritjen e recensionit ekonomik të vendit.
Top Channel