Dy përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha, përshëndetën eliminimin fizik të ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, ngjarje që i jep fund luftës së përgjakshme civile në vendin e madh afrikan.
Në një deklaratë të publikuar pasdite nga Presidenca, shprehej bindja e Zotit Topi se “kjo ngjarje lë pas një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe i jep fund një prej diktaturave më të gjata në botë. Tashmë Libisë i hapet përpara një perspektivë e qartë demokratike dhe paqe”.
Nga ana e tij, duke reaguar pothuajse në të njëjtën kohë, edhe Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për përfundimin e konfliktit libian, edhe pse theksoi se “do të kishte qenë më mirë që Gaddafi të kapej i gjallë dhe të vihej përpara drejtësisë për krime kundër njerëzimit dhe popullit të tij”.
Berisha e konsideroi vdekjen e Gaddafit si një “ngjarje të shumëpritur për popullin libian dhe të gjithë botën”.
Si pjesë e aleancës së NATO-s, Shqipëria ishte pjesë e koalicionit që sulmoi trupat e diktatorit, duke dhënë ndihmesën e tij për fitoren përfundimtare të trupave demokratike. Megjithatë, pa kapacitete ajrore bombarduese, vendi ynë u mjaftua në autorizimin e përdorimit të hapësirës sonë ajrore për të bombarduar Libinë, hapësirë që eventualisht nuk rezultoi e përdorur në këto operacione.
Nuk është i qartë se cili do të jetë qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes për mundësinë e dërgimit të trupave shqiptare në Libi, nëse do të kërkohet asistenca e forcave paqeruajtëse të NATO-s në vend.
Koloneli Gaddafi, njeriu që udhëhoqi Libinë për 42 vjet, u vra më parë gjatë ditës, ndërsa udhëhiqte trupat e fundit të mbetura në mbrojtjen e Sirtes, qytetit të tij të lindjes.
Top Channel