Sistemi zgjedhor që duhet të përdorim është një prej çështjeve që prej kohësh ka qenë një debat madhor i politikës shqiptare. Me 15 modifikime që i është bërë Kodit Zgjedhor në 20 vitet e demokracisë, është e qartë që nuk e kemi gjetur ende formulën “magjike”, e cila të jetë në gjendje të pranohet nga të gjithë si e drejtë dhe e ndershme.
Pikërisht kjo është çështja që u ngrit nga një panel me përfaqësues të
pozitës dhe opozitës, në “Top Story”, emisionin e drejtuar çdo të enjte
nga Sokol Balla.
Gjinushi: Kodi zgjedhor dëmton të voglat
Duke folur për një reformë të “domosdoshme” zgjedhore, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, u shpreh se duhet gjetur një kod i ri zgjedhor, i cili i ndryshëm nga aktuali, të mos jetë i ndërtuar për të goditur qëllimisht partitë e vogla.
”Rëndësi ka që sistemet të jenë demokratike, por sistemet tek ne janë të deformuara dhe i zbatojmë qëllimisht kundër partive të vogla”, tha Gjinushi. “U përdor Dushku në 2005 dhe u ligjërua më pas. Vetëm shumica përfitoi. Tani shpiket sistemi spanjoll që është i mirë apriori, por nuk zbatohet siç duhet. Në një sistem proporcional duhet të dominojë proporcionaliteti. Këto sisteme zbatohen në mënyrë që të përfitojnë të mëdhenjtë në favor të partive të vogla”.
Gjithmonë për reformën, Gjinushi shtoi: “Sa më të vogla të jenë deformimet, aq më mirë do të jetë. Sistemi duhet të përshatet në mënyrë logjike dhe jo si në zgjedhjet e fundit, ku socialdemokratët mbetën jashtë parlamentit, edhe pse mblodhën vota për të futur tre deputetë, vota të cilat në bazë të sistemit, i kaluan Partisë Socialiste”.
Sipas Gjinushit, ajo që ka ndodhur deri tani tregon se ajo që mungon në të vërtetë, është vullneti politik për të bërë ndryshime. “Në Tiranë, nga një problem manipulimesh, u kaloi në një vjedhje të hapur. BE kërkon zgjedhje të rregullta nga ne, sepse jemi i vetmi vend në Ballkan që nuk i kemi realizuar ende. Megjithatë, ata kanë kuptuar që qeveria jo vetëm s’ka vullnet, por i vetmi vullnet që ka është të vjedhë. Sa i përket sistemeve, faktit që një partie të vogël i duhen më shumë vota se një tjetër për të fituar, nuk më duket një problem. Çdo sistem ka hallka të dobëta dhe asnjë nuk e përkthen votën 100%, por nëse është proporcional, atëherë të bëhet proporcional dhe të mos të shtrembërohet”.
Rama: LSI, e shqetësuar për reformën
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, foli edhe ai për nevojën e një reforme zgjedhore, por shtoi se ajo duhet të jetë në përputhje me udhëzimet e “OSBE-ODIHR”. Në të njëjtën kohë, Rama theksoi se koha e eksperimenteve ka përfunduar, ndërsa reforma e re do të imponohet edhe nga kufizimet që kanë vendosur ndërkombëtaret.
”Reforma zgjedhore në tërësi është e kushtëzuar nga një mori rekomadimesh të pranuara në parim nga aktorët politik dhe nga OSBE-ODHIR. Me këtë, dua të them që rruga drejt arritjes së një marrëveshje është e përcaktuar. Problemi është të ulemi dhe të konkretizojmë udhëzimet në një tryezë”.
Duke u ndalur tek nevoja e një reforme, Rama tha se “15 ndërhyrje në kodin zgjedhor në 20 vjet bëjnë të domosdoshme gjetjen e një formule që të jetë në gjendje të pranohet nga të gjithë. Deri tani, i gjithë debati politik ka qenë i kushtëzuar me zgjedhjen dhe burimijn e tyre. Në këto kushte, LSI prej kohësh është e shqetësuar, por kjo nuk duhet kthyer një çështje si me penalltinë, që ai që e fiton duhet ta gjuajë. Reforma nuk ka vetëm një interes politik për partitë e përfshira, por mbi të gjitha një interes legjitimiteti, në mënyrë që vota të vlerësohet dhe përkthehet njësoj në pushtet në të njëjtën mënyrë siç e jep votuesi”.
Arjan Madhi: Ndal deformimit të sistemit zgjedhor
Arjan Madhi, sekretar për proceset zgjedhore i Partisë Republikane, u shpreh se nuk është faji i sistemit zgjedhor për problemet politike në Shqipëri.
“PR mendon se ajo që ka ndodhur nuk është faji i sistemit sepse ai është i gjithë pranuar, por mënyra se si shpërndahen mandatet është i gabuar. Duhet t’i drejtohemi mënyrës së llogaritjes së votave dhe shpërndarjes së mandateve, aty qëndron problemi”, thekson Madhi në emisionin Top Story.
“Duhet t’i japim fund deformimit dhe shfrytëzimit të hapësirave ligjore që i japin avantazh partive të mëdha”, shtoi Madhi.
Sekretari për proceset zgjedhore i Partisë Republikane theksoi se “reforma zgjedhore duhet të mbështetet në raportin e OSBE/ODIHR-it dhe praktikës zgjedhore të Shqipërisë”.
Nard Ndoka: Pazaret e partive të mëdha, problemi i zgjedhjeve në Shqipëri
Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, deklaroi se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri vjen nga pazaret mes dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Problemet i kemi pasur me të dy partitë e mëdha, PD dhe PS. Problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është krijuar nga pazaret mes partive të mëdha në kurriz të partive të vogla”, tha Ndoka.
“PDK mori 28 mijë vota, por nuk përfaqësohemi në Kuvend dhe kjo është absurde. Ka parti me 7-8 mijë vota në parlament. Ky është deformim”, shtoi kreu i PDK-së.
“Nga marrëveshjet me PD-në socialistët kanë dalë të djegur dhe kjo gjë ka ndodhur 2 herë”, deklaroi Ndoka.
Rama: LSI s’ka filozofi bllokuese
Në vijim të fjalës së tij në Top Story, Luan Rama nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ritheksoi edhe njëherë qendrimin e tij dhe të partisë që përfaqëson për ndërmarrjen e reformës zgjedhore.
LSI, tha zoti Rama, është e gatshme dhe mbron interesat e të gjitha partive të vogla, të papërfaqësuara në parlament.
“Për të gjitha partitë e vogla, LSI është një mundësi për të shprehur dhe artikulojnë edhe ato interesin e tyre në parlament. Drafti i paraqitur në kryesinë e Kuvendit nga ne është pikërisht për përfaqësimin e aktorëve të tjerë politikë, që nuk janë të përfaqësuar në parlament. LSI nuk ka në filozofinë e vet të qenit forcë bllokuese, por opozita vetë nuk është kompakte përsa i përket cështjeve për reformën zgjedhore”, tha zoti Rama.
Ndërsa kreu i Partisë Social-demokrate, Skënder Gjinushi paralajmëroi dështimin e reformës zgjedhore nëse ajo ndërmerret vetëm duke bërë amendime në Kodin Zgjedhor. Sipas tij, problemi më i madh në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, është Sali Berisha, që kërkon gjithmonë t’i vjedhë ato.
“Po u katandis reforma zgjedhore në amendime do të jetë ë dështuar. Reforma nuk duhet parë e vecuar, por duhet parë si një e tërë. I vetmi që vjedh zgjedhjet është Sali Berisha”, u shpreh Gjinushi. Ai shtoi më tej se zgjedhja konsensuale e presidentit, nuk është një alternativë për klasën politike, por një detyrim.
Ndërsa kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka deklaroi se mazhorancës dhe kryeministrit Berisha nuk i intereson reforma zgjedhore para zgjedhjes së presidentit vitin e ardhshëm, për të patur mundësi vendosjen e një emri të propozuar nga Partia Demokratike.
Top Channel