Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, thotë pas 3 muajve të parë të dobët, procesi i amnistisë ka hyrë në një fazë të re, ku interesi për të përfituar po vjen në rritje, sidomos nga individët.
”Çdo javë që kalon, çdo muaj tashmë interesi rritet me 2-3 fishim. Janë rreth 7 mijë individë, të cilët kanë aplikuar për rivlerësimin e pasurisë”, shprehet Rrushaj.
Por, ndryshe nga individët, bizneset duken të paktën deri tani shumë më pak të interesuara. Rrushaj e cilëson këtë si një neglizhencë gati të tepruar të sipërmarrjes dhe mohon që të jetë pasojë e frikës për ndëshkime pas deklarimit.
”Pavarësisht se kanë qenë numër i vogël, një numër biznesesh kanë aplikuar dhe janë vetdeklaruar. Ata kanë përfituar atë që ligji u ka njohur”.
Por, çfarë do të ndodhë me ata që humbasin shansin për të deklaruar pasuritë e fshehura. Qeveria thotë se pas mbylljes së procesit, dora e ligjit do të jetë e hekurt dhe detyrimet e papaguara do të mblidhen me gjithë gjobat dhe interesat.
”Masat për grumbullimin me forcë të të ardhurave tatimore-doganore, sidomos ato tatimore, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme, për të garantuar edhe një herë që ky ligj amnistie është përfundimtar dhe kushdo që dëshiron të ketë një faqe të re të historisë me administrata, duhet të përfitojë në këtë moment”, përfundoi Zoti Rrushaj.
Top Channel