Greqia është paralizuar nga një grevë e përgjithshme, me përplasjet në rrugët kryesorë të Athinës që vazhdojnë, ndërsa parlamenti është në prag të votimit të një plani të shumëdebatuar, të imponuar nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Plani pesë-vjeçar do të lejojë grumbullimin e më shumë të ardhruave nga taksat, ndërsa dhjetëra milionë të tjerë do të kursehen nga investimet shtetërore, fondi i pagave e pensioneve dhe shkurtimet. Por, çfarë përmban në tërësi plani ndaj të cilit grekët protestojnë me kaq vendosmëri?
Tatimet
– Taksat do të rriten me 2,32 miliardë euro në vitin aktual, për të vazhduar rritjen me 3,38 miliardë euro, 152 dhe 699 milion, në vitet që do të pasojnë.
– Një taksë shtesë “solidariteti”, me vlerë 1-5% të të ardhurave familjare, do të paguhet dy herë në vit nga çdo familje.
– Ndërsa aktualisht personat me të ardhura nën 12 mijë euro nuk paguajnë taksa mbi fitimet, kufiri ulet në 5 mijë euro e poshtë.
– Rritet TVSH-ja, nga 19 në 23%. Rritje edhe për produktet që paguajnë më pak TVSH, nga 11 do të bëhet 13% dhe nga 5,5 në 6,5%.
– Taksa të reja shtesë për të gjithë mallrat e konsideruara si luksi, përfshi cigaret, alkoolin, karburantet, mjetet e shtrenjta të transportit dhe shtëpitë e dyta.
– Hiqen disa përjashtime nga taksat.
Shkurtimet në sektorin publik
– Fondi i pagave reduktohet me dy miliardë euro deri në 2015-n.
– Të gjitha pagat reduktohet me 20% në administratë.
– Të gjitha pagat e kompanive shtetërore reduktohen me 30%, ndërsa hiqen pagat shtesë në fundviti dhe të gjithë bonuset e tjerë.
– 30 mijë persona do të humbasin vendin e punës. Për një vit do të dalin në asistencë me 60% të rrogës, për të mbetur të papunë vitin e ardhshëm, ndonëse kanë statusin e nënpunësit civil, që detyron shtetin t’i punësojë në çdo rast.
– Të gjitha kontratat me punë të përkohshme prishen.
– Vetëm 1 në 10 punonjës i administratës që del në pension do të zëvendësohet për dy vjet, vetëm 1 në 5 në vazhdim.
Shkurtimet e shpenzimeve
– Shpenzimet për mbrojtjen reduktohen me 200 milion euro në 2012-n dhe me 333 milion çdo vit nga 2013-2015.
– Shpenzimet në shëndetësi reduktohen me 310 milion euro që sivjet dhe një total prej 1,81 miliardë eurosh në periudhën 2012-15.
– Investimet publike reduktohen me 850 milion euro në 2011-n.
– Subvencionet për pushtetin vendor reduktohen.
– Shpenzimet për edukimin do të reduktohen duke mbyllur ose bashkuar 1 976 shkolla.
Shkurtimet e përfitimeve
– Sigurimet shoqërore reduktohen me 1,09 miliardë euro dhe me më shumë se 1 miliadë në katër vitet e ardhshme.
– Pensionet mbi 1 mijë euro shkurtohen me 20%.
– Pensionistët aktualë nën 55 vjeç humbin 40% të pensioneve mbi 1 mijë euro.
– Aksion për reduktimin e evazionit fiskal, duke detyruar firmat të deklarojnë saktësisht numrin e punonjësve dhe pagën e tyre.
– Rritet mosha e daljes në pension në 65 vjeç, ndërsa për të përfituar pension duhen 40 vjet punë.
Privatizimet
– Synohet të grumbullohen 50 miliardë euro nga privatizimet deri në 2015-n, përfshi: Shitja e aksioneve të monopolit shtetëror të basteve “OPAP”, shitja e Postës Greke, operatorëve të portit të Pireut, porti dhe ujrat detarë të Selanikut.
– Shitja e 10% të “Hellenic Telecom” tek “Deutsche Telecom” për 400 milion euro.
– Duke nisur nga 2012-ta, privatizimi i ujësjellësit të Athinës, rafinerisë së naftës së vetme në vend, kompanisë së dritave “PPC”, e disa bankave kryesore, porteve, airoporteve, dhënia me koncension e autostradave dhe të drejtave minerare.
– Planifikohen shitje të mëtejshme që do të krijojnë 7 miliardë euro në 2013-n, 13 miliardë në 2014-n dhe 15 miliardë në 2015-n.
Reforma në treg
– Një ligj i ri do ta bëjë më të lehtë për kompanitë që të shkarkojnë nga puna punonjsit e tyre. Kjo do të bëhet duke pezulluar shumë ligje që industrive iu janë imponuar prej sindikatave.
Top Channel