Prokurori që drejton cështjen ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic, ka deklaruar se nuk do ta apelojë vendimin e gjykatës që kundërshton gjykimin e vecantë të akuzave që rëndojnë ndaj tij.
“Jemi në një sistem ku fjala e fundit u takon gjyqtarërve. Të kesh mendime të ndryshme nuk është një motiv për të apeluar. Për këtë nevojitet një bazë ligjore”, ka deklaruar kryeprokurori Serge Brammertz.
Mlladic, i njohur ndryshe is Kasapi i Srebrenicës, përballet me 11 akuza, mes të cilave ato për genocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe drejtimin e masakrës së vitit 1995 në Bosnje.
Në muajin gusht Brammertz i kërkoi gjykatës që procesi të ndahej në dysh, në mënyrë që njëra pjesë të gjykonte vetëm ngjarjet në Srebrenicë, ndërsa tjetra të merrej me akuzat e mbetura.
Këto të fundit kanë të bëjnë me rrethimin 44-mujor të Sarajevës, krimet në komunat boshnjake dhe rrëmbimin e personelit të zyrës së Kombeve të Bashkuara.
Por më 13 tetor gjykata e hodhi poshtë kërkesën e tij me motivin se, dy gjykime të ndara do të paragjykonin të pandehurin dhe do të sillnin humbjen e kontrollit të gjykimit, duke e bërë atë më pak efikas.
Hagë, Ratko Mlladic dërgohet në spital
Më 11 tetor, Mlladic u shtrua për trajtim në spital, pas verifikimit të disa problemeve pneumonike. Biografja e tij, Ljiljana Bulatovic, bëri të ditur lajmin.
Ndërsa zyra e shtypit pranë gjykatës së OKB-së për krimet e luftës refuzoi të jepte detaje mbi gjendjen e ish-gjeneralit.
“Është raportuar në disa media se Mlladic është me pneumoni. Unë mund të konfirmoj se aktualisht ai po mjekohet, por nuk mund të zbuloj natyrën e mjekimit”, deklaroi zëdhënësi Nerma Jelacic.
Ndërsa një ditë më parë, gazeta serbe “Kurir” njoftoi se ish-komandanti i trupave paraushtarake ndodhej në gjendje të rëndë për shkak të disa problemeve në veshka.
“Mlladic është në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë si pasojë e një krize në veshka. Avokati i tij është shumë i shqetësuar”, shkruante gazeta.
Top Channel