Komisionerja evropiane për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom ka deklaruar se BE nuk do ta lërë Kosovën që të izolohet.

Duke folur në një seminar mbi përvojat me liberalizimin e vizave, Malmstrom ka nënvizuar se Kosova është vendi i vetëm ballkanas që përballet me këtë regjim.

“Kosova nuk do të lihet si një ishull i izoluar, prandaj me Kosovën në dhjetor do të nisë dialogu për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Malmstrom.

Komisionerja është shprehur se pala kosovare nuk i ka plotësuar ende të gjitha kushtet e nevojshme, por ka nënvizuar se në këtë drejtim po bëhet progres i ndjeshëm.

“Në dhjetor do të marrim përgjigjet për listën e pyetjeve të cilat na shqetësojnë dhe shpresoj se para festave të fundvitit do të kemi mundësinë që me Kosovën të nisim dialogun për vizat”, ka shtuar Malmstrom.

Në raport-progresin e publikuar më 12 tetor, Komisioni Evropian sugjeronte nisjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave me Kosovën brenda vitit.

Nga ana e saj, qeveria Thaci është shprehur e gatshme për përmbushjen e kushteve të parashtruara nga Brukseli, duke premtuar se do t’i realizojë ato në një kohë rekord.

Një nga kërkesat e paraqitura në progres-raport për liberalizimin e vizave është zhbllokimi i situatës në veri, për të cilën Brukseli ka kërkuar një strategji gjithëpërfshirëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA