Pse ishte Shqipëria ndër vendet e përzgjedhur të Valter Lavitolas, ish-drejtorit të gazetës “Avanti”? Gjatë një bisede telefonike të përgjuar me 15 tetor të 2009-s, Lavitola kërkon një takim më zv/kryeministrin shqiptar, Ilir Meta në studion e Fratinit.
“Do të ishtë shumë e rëndësishme për një sërë ngjarjesh që më vonë t’i shpjegoj dhe që Franko i di, që unë të jem aty në fund të takimit në dhomën e Frankos për të shkëmbyer dy fjalë; Franko, unë dhe Ai”, i thotë Lavitola sekretares së Fratinit.
Kjo cështje e rëndësisë së jashtëzakonshme, për të cilën Fratini duhet të ndërhynte tek Berluskoni, ishte gazsjellësi TAP, një prej katër projekteve konkurrente për të sjellë në Europë, gazin e Azisë Qendrore.
E përditshmja “Il Fatto Quotidiano” shkruan se kur flitet për energjinë, logjikat politike vlejnë më shumë se ato ekonomike, pa qeveri te gatshme, edhe projekti më i mirë do të bllokohej.
Lavitola dhe ortakët e tij janë të vetëdijshëm, mbi të gjitha se cila ishte vlera e ndërmjetësimit të duhur, nxitja e lobimit vendimtar.
Gazjellësi TAP, (TransAtlantic Pipeline) që duhet të lidhte Turqinë dhe Italinë, duke kaluar nga Shqipëria, parashikonte një investim së paku prej 1.5 miliardë euro, për të transportuar 10 miliardë metër/kub gaz në vit.
Në fakt nuk ishte një operacion politikisht i lehtë; Me Shqipërinë, shkruan “Il Fatto Quotidiano”, marrëdhëniet e Italisë ishin intensive dhe komplekse, në një farë pike, Berluskoni propozoi të përfshinte Tiranën në projektin e një centrali atomik, ndërsa kishte shumë cështje për energjinë e rinovueshme, ku ishte përfshirë grupi “Monkada”.
T’i shtoje kësaj dhe gazin, nuk ishte një gjë e thjeshtë. I vetëdijshëm për këtë shkruan e përditëshmja italiane, ishte dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i cili më 20 tetor të 2010-s, përmes një letre të rezervuar që gazeta “Il Fatto” mundi ta lexojë, i shkruante Berluskonit:
“Jam i bindur se mbështetja juaj do krijojë themelin e nevojshëm për të bërë realitet projektin TAP e për të krijuar kështu një vizion historik të korridorit të gazit në favor të Italisë, Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.”
Kësaj letre kryeministri italian nuk iu përgjigj kurrë. Burimet i thonë gazetës se gazsjellësi nuk do ndërtohet ndonjëherë.
Top Channel