Samir Ujkani, dy muaj jashtë fushave

18/10/2011 00:00

Frika ka kaluar. Samir Ujkani është në gjendje të mirë pas operacionit
të kryer me urgjencë, prej dëmtimit të tmerrshëm që pësoi në fytyrë
gjatë ndeshjes Novara-Bolonja, të vlefshme për javën e gjashtë të Serisë
A italiane.

Portieri shqiptar u përfshi në një përplasje të frikshme me shokun e tij të skuadrës, Marganela, në të cilën humbi katër dhëmbë, pësoi frakturë në hundë dhe në nofull, si edhe një çarje të thellë në vetull. Menjëherë pas përplasjes, ku pamjet filmike tregonin një dhemb të Ujkanit që fluturonte në ajër, “gardiani” kuqezi u dërgua me urgjencë në spital. Futbollisti i Kombëtares shqiptare do të jetë i detyruar të qëndrojë 30-40 ditë pushim absolut, përpara se të kthehet në stërvitje, ku detyrimisht duhet të përdorë maskën mbrojtëse të fytyrës. Kjo do të bëjë që Ujkani të mos jetë i gatshëm për të zbritur në fushë për të paktën dy muajt e ardhshëm. Por nuk duhet harruar as koha për rikuperimin “psikologjik”, i cili u trondit nga përplasja e dhunshme. Gjithçka ndodhi në minutën e 41 të takimit, kur në tentativën për të neutralizuar një harkim në zonë për Di Vaion, ai u godit me kokë nga shoku i ekipit dhe ra menjëherë në tokë.

Portieri do të përbëjë një mungesë të rëndësishme për Novarën në luftën për të mbijetuar në Serinë A, ndërsa në alarm është edhe përfaqësuesja shqiptare. Kjo për faktin se numri 1 i portës nuk do të luajë në dy miqësoret me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë (më 11 dhe 15 nëntor), ndeshje ku skuadra do të nisë përgatitjet për kualifikueset e Botërorit 2014. Ndërkohë mësohen edhe detaje të ndërhyrjes kirurgjikale, të cilës portieri i pafat iu detyrua t’i nënshtrohej, për shkak të dëmtimit mjaft serioz në fytyrë. Për të zvogëluar kohën e rikuperimit në frakturat e kockës së hundës dhe atë të nofullës, në operacion Ujkanit iu vendosën katër pllaka titani. Mbrëmja e së dielës në spitalin “Maxhore” të Novarës kaloi mjaft e qetë, ndërsa 23-vjeçari do të qëndrojë nën vëzhgimin e mjekëve deri në ditën e nesërme dhe më pas mund të shkojë në shtëpi. Nëpërmjet faqes zyrtare, klubi i Novarës theksonte: “Sipas prognozës, duhet të kalojnë 30 ose 40 ditë përpara se Ujkani të kthehet në stërvitje me masat e nevojshme mbrojtëse. Për të zvogëluar kohën e rikuperimit të frakturave të portierit të kaltër, u përdorën katër pllaka titani”.

I gjithë qyteti piemontez u tremb për fatin e portierit shqiptar. Mes tifozëve të shqetësuar për gjendjen e portierit spikaste kryetari i Bashkisë së Novarës, Andrea Balare. Gjatë paradites së të hënës, ai u paraqit në spital, për të vizituar Ujkanin, që gjatë dy sezoneve të kaluara është shndërruar në një idhull të skuadrës. Kryebashkiaku, i cili shoqërohej nga drejtori i përgjithshëm i spitalit, Mario Minola, u takua edhe me shefin e repartit, Arnaldo Benek, i cili e informoi rreth gjendjes shëndetësore të portierit. Ndërkohë, në bisedën e shkurtër me Ujkanin, drejtuesi i pushtetit lokal i uroi gardianit shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në fushë.

Top Channel