Korea e Veriut dhe SHBA pritet të ulen në tavolinën e bisedimeve, për të diskutuar zyrtarisht për trupat e rëna amerikane që kanë mbetur në vendin aziatik që prej Luftës Koreane, lajmëruan gjatë të martës mediat ndërkombëtare.
Megjithatë, takimi pritet të shërbejë si pretekst për të biseduar mbi shumë çështje me interest ë përbashkët, midis të cilave edhe ajo e ambicieve bërthamore të Penianit, programi nuklear i të cilit ka sjellje ngrirjen e marrëdhënieve dypalëshe që prej 2005-s.
Pasi Korea e Veriut lajmëroi gatishmërinë e saj për të rinisur bisedimet mbi trupat e ushtarëve amerikanë të rënë në vend, është arritur të fiksohet një takim midis zyrtarëve të lartë, në kryeqytetin tajlandez, Bangkok. Detaje të tjera të protokollit nuk janë bërë ende të ditura.
Për herë të fundit, diplomatët amerikanë dhe koreanoveriorë janë ulur në të njëjtën tavolinë në korrik, në një tryezë 6-palëshe mbi programin bërthamor, ku merrte pjesë edhe Koreja e Jugut, Japonia, Rusia dhe Kina.
Rreth 8 mijë trupa të ushtrisë së SHBA-së mbeten ende “të zhdukura”, në konfliktit që solli ndarjen e dy Koreve, në vitet 1950-53. Një pjesë e madhe e tyre ndodhen në varreza të ndryshme në vendin komunist.
Top Channel