Akademiku Rexhep Qosja ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, duke
kritikuar ashpër partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Qosja ka akuzuar këto dy parti se po kërkojnë të fusin Kosovën në luftë.

“Le të luftojnë ata vetë nëse kërkojnë luftë, LDK dhe Vetëvendosje”, ka deklaruar Qosja. Sipas tij, qeveria kosovare duhet ta shmangë dhunën në veri.

“Qeveria jonë nuk duhet të përdorë dhunë. Nuk duhet të fillojë luftë në veri të Kosovës. Jo më kot në Kosovë është KFOR-i”, ka nënvizuar Qosja.

Megjithatë, ai ka shprehur bindjen e tij se, nëse do të jetë e nevojshme, Thaci, Krasniqi, Ceku, Haradinaj dhe Limaj do të luftojnë sërish.

Pak ditë më parë deputetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës inkurajuan KFOR-in që të fillojë me largimin e barrikadave në veri nëse kjo nuk bëhet vullnetarisht.

“Inkurajojmë KFOR-in që ta cojë aksionin deri në fund. Dhashtë Zoti që ata të bandave të kenë të mbushur mendjen, nëse jo, atëherë KFOR-i duhet ta kryejë këtë punë, e cila është ekskluzivisht e KFOR-it”, deklaroi Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

Ndërsa në lëvizjen Vetëvendosje vlerësuan se qeveria nuk duhet t’i varë shpresat tek misionet ndërkombëtare që kanë qëndrim neutral ndaj shtetit të Kosovës.

“Kjo për shkak se, në njërën anë baza e tyre juridike nuk është ajo që e njeh pavarësinë e Kosovës. Pra, ata e quajnë vetën neutralë karshi statusit të Kosovës meqë bazohen në rezolutën 1244. Dhe në anën tjetër, nuk mund të presim ne që shtetet e tjera t’i kryejnë punët Kosovës. Duhet të merremi vetë me ato punë”, u shpreh Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA