Pakistani do të mbajë bisedime paqeje me talebanët vetëm nëse këta të fundit do të dorëzojnë më parë armët e tyre, deklaroi Ministri i Brendshëm, Rehman Malik.
Në një konferencë përpara gazetarëve, ai tha se “militantët nuk mund të hyjnë në bisedime duke mbajtur kallashnikovë në dorë”. Ai shtoi se Islamabadi zyrtar është i gatshëm të hapë negociata për paqe, por nuk do të pranojë të vendoset me shpatulla pas murit nga presioni i islamistëve fondamentalistë.
Në bisedime të mëparshme, nuk ishte vendosur asnjëherë një kusht i tillë. Deklarata e Malik duket e pamundur të realizohet, pasi nuk ka asnjë gjasë që talebanët të çarmatosen pa marrë asgjë në këmbim. Për momentin, nuk është e qartë nëse fjalët e tij kanë qenë një qëndrim personal apo qëndrimi zyrtar i Pakistanit.
Gjatë 2011-s, ushtria e vendit me 170 milion banorë ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme mbi zonat e konsideruara si bastione të talebanëve, në krahinën e Vaziristanit, pranë kufirit afgan, por pa mundur të paralizojnë aktivitetin e grupeve të lidhura me Al-Kaedën.
Talebanët në Pakistan i kanë deklaruar një luftë të hapur shtetit dhe kanë kryer sulme të vazhdueshme kamikaze që prej 2007-s, me qëllimin që të rrëzojnë qeverinë e mbështetur prej SHBA-së.
Top Channel