Delegatët ndërkombëtare: ETA duhet të shpërbëhet

18/10/2011 15:20

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje grupimit separatist bask, ETA, dorëzimin e armëve, duke i dhënë kështu fund një rezistence të armatosur 40-vjeçare ndaj sovranitetit të shtetit spanjoll.

Thirrja prej delegatëve, midis të cilëve edhe ish-drejtuesi i OKB-së, Kofi Annan, u bë gjatë një konference të mbajtur në Spanjën veriore, e cila shpresohet se do të sjellë shpërbërjen e grupit.

Madridi zyrtar dhe ETA nuk kanë përfaqësues zyrtar në këtë konferencë. Organizata, e konsideruar si terroriste në vend, në BE dhe SHBA, konsiderohet përgjegjëse për më shumë se 800 vrasje, duke nisur nga vitet 1970.

Më parë gjatë shtatorit, një parti radikale baske lajmëroi shpërbërjen e saj, ndërsa ETA gjithashtu deklaroi një armëpushim të përhershëm, duke thënë se në kushtet e reja të krijuara, lufta e armatosur nuk kishte më kuptim.

”Kemi ardhur sot në tokën baske sepse mendojmë se është koha dhe mundësia, për t’i dhënë fund konfliktit të fundit të armatosur në Europë”, deklaroi ish-Kryeministri i Irlandës, Bertie Ahern, i cili luajti një rol vendimtar në zgjidhjen e konfliktit të qeverisë së Irlandës së Veriut me IRA-n.

Qeveria spanjolle gjithashtu i ka bërë thirrje ETA-s që të çarmatoset dhe të shpërbëhet. Është e paqartë nëse grupimi separatist do t’i bëjë thirrje Madridit për një amnisti të gjerë mbi të burgosurit e organizatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA