Piktori i shndërruar në një legjendë, Vincent Van Gogh, mund të mos jetë vetëvrarë, ashtu siç është thënë që prej vdekjes së tij në vitin 1890.
I prekur nga skizofrenia që në moshë të re, është besuar se gjeniu i penelave i dha fund jetës në moshën 37-vjeçare, duke u goditur në stomak me dy plumba pistolete, në një moment humbje të kthjelltësisë mendore.
Megjithatë, dy studiues britanikë të Van Gogh, pas një eksperize të detajuar, kanë arritur në përfundimin se ka më shumë gjasa që piktori të jetë qëlluar gabimisht prej dy djemve të vegjël që ai i njihte.
Ata kanë arritur të zbulojnë disa dokumente, të cilat tregojnë së bashkëkohësit e tij në Overs sur Uaz, në Francë, vendi ku edhe ndërroi jetë, e pranonin si fakt vdekjen aksidentale. Megjithatë, Van Gogh kaloi një agoni dyditore përpara se të jepte shpirt dhe besohet se gjatë 48 orëve të fundit, për të mbrojtur djemtë nga ndonjë gjykim, të ketë marrë përsipër fajin, duke thënë se e kishte qëlluar vetë veten.
Në një tjetër dokument zbulohet si përgjegjës emri i 16-vjeçarit Rene Secretan, i cili njihej si një djalosh që vazhdimisht e bezdiste ekspresionistin e sëmurë mendërisht.
Ky është përfundimi i një kërkimi 10-vjeçar mbi fakte të panjohura për jetën e piktorit holandez. Në një komunikatë të publikuar nga Muzeu “Van Gogh” në Amsterdam, faktet e reja janë cilësuar si “shumë intriguese”.
Top Channel