Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar natën mes së dielës dhe të hënës në veri të Mitrovicës.
Sipas të dhënave të mediave kosovare, ngjarja në fjalë, e publikuar në orët e fundit, është diskutuar në një mbledhje të krerëve të strukturave të sigurisë.
Drejtori i policisë rajonale të Mitrovicës, Nexhip Gashi ka deklaruar se agjentët kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes, por është ende herët për ndonjë rezultat.
Lidhur me situatën në veri, ai ka nënvizuar se ka të dhëna që sugjerojnë se banorët serbë do të kundërshtojnë largimin e barrikadave.
Zyrtari i policisë ka bërë të ditur se aktualisht pranë barrikadës në fshatin Zupc janë mbledhur rreth 800 serbë, ndërkohë që 300 të tjerë ndodhen në Banjskë dhe 30 në Jarinje.
Ndërsa komandanti i stacionit policor në jug të Mitrovicës, Avni Zabeli ka deklaruar se forcat e rendit janë të angazhuara për ruajtjen e rendit, sidomos në zonat me popullsi të përzierë dhe në lagjet veriore.
Trupat e KFOR-it u kanë lënë banorëve serbë afat deri të martën për heqjen vullnetare të barrikadave, duke paralajmëruar ndërhyrje në rast të kundërt.
Komandanti Erhard Drews ka deklaruar se shpreson në një bashkëpunim të komunitetit serb, ndërkohë që nga Beogradi kanë ardhur qëndrime të ndryshme.
Zhbllokimi i kufijve u kërkua edhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili e vlerësoi situatën aktuale si të papranueshme.
Top Channel