Kryeministri rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë hipotezat se rikandidimi i tij për Kremlinin është tashmë një fakt i kryer.
“Nuk mund të flitet për rezultat të paracaktuar të botës. Një qytetar i thjeshtë e ka gjithmonë një zgjedhje”, ka deklaruar Putin.
Deklaratën e tij, Putin e ka bërë në një intervistë për televizionin Rusia 24, e cila do të transmetohet mbrëmjen e së hënës.
Edhe lideri aktual i Kremlinit, Dmitry Medvedev në një intervistë të dhënë më 30 shtator kishte deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme nuk janë të paracaktuara.
Mëgjithatë, në të njëjtën intervistë Medvedev vlerësonte se Putin është personi më i përshtatshëm për postin e presidentit, pasi është figura më autoritare e Rusisë.
Por pavarësisht “modestisë” së dy liderëve rusë, rrokada Putin-Medvedev, që parashikon shkëmbimin e posteve mes tyre, konsiderohet fakt i kryer nga analistët ndërkombëtarë.
Putin ka qenë president i Rusisë nga viti 2000 në 2008 dhe nëse rizgjidhet tani që mandati i kreut të shtetit është bërë 6 vjet, ai mund të qeverisë Rusinë deri në vitin 2024.
Për këtë motiv, ish-agjenti i KGB-së është konsideruar nga mediat ndërkombëtare si Cari i ri i Rusisë.
Top Channel