Për të fituar statusin e kandidatit është e domosdoshme që Qeveria e
Serbisë të bëjë thirrje për largimin e barrikadave në veri të Kosovës.
Kështu deklaron raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, në një intervistë për ‘Danas’, cituar nga Telegraf.
Kacin ka deklaruar se pa e bërë këtë lëvizje, nuk ka pranim të marrëveshjes për vulat doganore. Nëse nuk do të zbatoheshin marrëveshjet e arritura, sipas Kacin, politika aktuale e Serbisë do të diskreditohej në sytë e shumicës se vendeve anëtare të BE-së.
Kacin ka thënë se në opinionin e Komisionit Evropian pritet që dialogu me Prishtinën të rifillojë, si dhe të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani. Raportuesi evropian ka pohuar se angazhimi i liderëve serbë duhet të jetë dalja nga kriza dhe jo konfrontimi me vendet anëtare të BE-së.
“Dezinformatat që janë përhapur në mediat beogradase në lidhje me incidentin në Jarinje, në fund të shtatorit, kanë lënë përshtypje të keqe te shtetet që kanë ushtarë në përbërje të KFOR-it, duke përfshirë edhe Gjermaninë, ushtarët e të cilës edhe janë lënduar. Qytetarët e Serbisë qe një kohë po e durojnë tempin e ngadalshëm të integrimeve evropiane të Serbisë”, ka thënë Kacin.
Top Channel