Juventusi vazhdon të kryesojë Serinë A edhe pas javës së gjashtë, ka një grup futbollistësh entuziastë dhe vjen në këtë sezon me një stadium të ri spektakolar, por ndërkohë, dyshimet e para nuk mund të fshihen më.
Torinezët kanë siguruar deri tani tre fitore dhe tre barazime. Ndërsa suksesi me Milanin mund të ilustrojë fytyrën më të mirë të bardhezinjve, barazimet zhgënjyese me skuadra si Bolonja, Katanias dhe Kievo ngrenë pikëpyetje të mëdha rreth skuadrës, e cila duket se bën të madhen me të mëdhatë dhe të voglën me të voglat.
Për momentin, të vetmet garanci të sigurta duket se qëndrojnë pas, me Buffon në portë dhe një dyshe mbrojtësish qëndrore me të vërtetë të fortë, të formuar nga Chellini-Barzagli.
Në qendër të mesfushës, Pirlo e Marchisio janë gjithashtu pika të forta, por loja e krahëve mbetet për momentin shumë problematike. Krasic është larg formës së tij më të mirë. Conte i ka dhënë disa mundësira për t’u evidentuar, por serbi nuk ia ka dalë mbanë dhe klubi ka arritur deri aty sa të mendojë për shitjen e tij në janar.
Giaccherini, Pepe dhe Elia, në krahun e majtë të mesfushës, duken se janë shumë larg cilësisë që e bindi skuadrën më të suksesshme në Itali që të shpenzonte miliona për t’i blerë.
Megjithatë, kriza më e thellë është ajo e sulmuesve. Vucinic dhe Matri kanë realizuar secili nga një gol të vetëm deri tani, ndërsa Del Piero, Quagliarella, Toni, Iaquinta dhe Amauri, duhet ende të tundin rrjetën në këtë sezon. Me shtatë sulmues, Conte ka një tepri opsionesh në këtë repart, por mbase këtu qëndron edhe problemi i vërtetë: Shumë mundësi, por pak cilësi.
Ndërkohë, Juventusi vazhdon të kryesojë për herë të parë pas shumë sezonesh, por me paraqitje zhgënjyese si ajo kundër Kievos apo Bolonjës, duket se do të jetë e vështirë për torinezët të mbeten edhe për shumë kohë në vendet e para të renditjes.
Top Channel