Luftime të ashpra kanë rifilluar në kryeqytetin e Jemenit, Sana’a, midis forcave besnike të presidentit Ali Abdullah Saleh dhe kundërshtarëve të tij.
Shpërthime janë dëgjuar në qytetin me 2,1 milion banorë gjatë të gjithë natës, ndërsa pas një ndërprerje të shkurtër, ballafaqimi ka rinisur sërish, informojnë mediat ndërkombëtare gjatë drekës.
Të paktën tre persona janë konfirmuar të vdekur, por bilanci pritet të jetë shumë më i lartë, ndërsa raportohet se protestat kanë nisur edhe në disa qytete të tjera jemenase.
Saleh akuzohet nga kundërshtarët e tij se po përpiqet të organizojë një grusht shteti. Në luftimet urbane janë përdorur raketa, mortaja dhe mitralozë të rëndë. Midis kundërshtarëve të presidentit që drejton vendin më të varfër arab prej 33 vitesh përfshihen edhe disa prej fiseve më të rëndësishme të vendit.
Javën e shkuar, Saleh u rikthye në Jemen pas disa javësh mungese, kohë gjatë së cilës u kurua në Arabinë Saudite për plagët e marra kur një shrapnel shpërtheu pranë zyrës së tij, duke e plagosur rëndë.
Saleh premtoi në rikthim se do të largohej përfundimisht nga skena politike brenda pak kohe, por sipas kundërshtarëve ky premtim është dhënë vetëm për të fituar kohë të vlefshme, për të organizuar më pas një goditje të re për shtypjen e opozitës.
Top Channel