Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e konsideron shumë të
rëndësishëm reformimin në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se
përmirësimet në këtë fushë duhet të jenë prioritete institucionale.

Jahjaga, tha po ashtu se mos reformimi i duhur në institucionet gjyqësore mund të ngadalësojë zhvillimin demokratik të shoqërisë.

“Sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet kryesor i të gjitha institucioneve të Kosovës. Krijimi i një sistemi efikas dhe transparent të drejtësisë në shërbim të qytetarëve, është elementi më i rëndësishëm i realizimit të këtij qëllimi”, u shpreh Jahjaga, bën të ditur radio Evropa e Lirë.

Presidentja Jahjaga, duke folur në Kuvendin Zgjedhor të Odës së Avokateve të Kosovës, pohoi se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të jetë i paanshëm.

​Në Raportin e Progresit për vitin 2011, që është publikuar para pak ditësh, sistemi i drejtësisë është vlerësuar më pozitivisht në krahasim me raportet e kaluara.

Megjithatë, Komisioni Evropian, në raport ka vlerësuar se sistemi i drejtësisë mbetet i dobët, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme në drejtësi dhe rrezikimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.

KE: Reforma të thella në drejtësi

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pier Mirel, kërkon nga institucionet e Kosovës reforma të thella në gjyqësi, administratë publike dhe ekonomi.

Ai ia dorëzoi raportin e progresit për vitin 2011 presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Bazuar kryesisht në krijimin e kornizës ligjore, Mirel vlerësoi se raporti i vitit 2011 tregon se në Kosovë ka zhvillime pozitive, por ligjet e miratuara sipas tij duhet të implementohen.  

 “Një çështje të rëndësishme që dëshiroj ta theksoj është sektori i gjyqësisë. Kemi disa vërejtje, por konsiderojmë që adoptimi i ligjeve siç është ai për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe i të tjerëve që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë pas themelimit të Këshillit Gjyqësor dhe prokurorial dhe rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve mendoj se qytetarët e Kosovës do të presin një punë më të mirë nga drejtësia”, u shpreh Mirel.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga  paralajmëroi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të udhëheqë mekanizmat për luftimin e korrupsionit. Ajo theksoi se Kosova e ka për obligim t’i largojë të gjitha pengesat e evidentuara në raport.Zonja Jahjaga u ndal te zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA