Izrael, peticione kundër lirimit të palestinezëve

17/10/2011 19:35

Gjykata e Lartë në Izrael është nën presion për të marrë nën shqyrtim katër peticione, të firmosur nga mijëra shtetas, të cilët janë kundër marrëveshjes që liron nga burgjet disa qindra palestinezë, në këmbim të një ushtari hebre të mbajtur peng.

Familjet e viktimave të sulmuara nga militantët kanë vendosur Tel Avivin zyrtar nën presion që të mos përmbushin anën e tyte të marrëeshjes, ndonëse ushtari Gilard Shalit u la i lirë prej Hamasit, pas më shumë se pesë vitesh pengmarrje.

Zyrtarët kanë bërë thirrje kundër shtyrjes së afatit për lirimin e të burgosurve palestinezë me 48 orë, diçka që do të ndodhë nëse Gjykata pranon të marrë parasysh peticionet.

”Askush nuk e di se çfarë impakti mund të ketë vonesa ose edhe ndryshimi më i vogël që mund të bëhet në termat e marrëveshjes”, deklaroi Kryeministri Netanyahu.

Ditën e dielë, Izraeli publikoi emrat e 477 të burgosurve palestinezë, që duhet të liroheshin nga burgjet ditën e martë. 550 të tjerë pritet të lihen të lirë më pas gjatë javëve të ardhshme.

Sipas ekspertëve, ka pak gjasa që peticionet të merren nën shqyrtim, duke parë se sa ndjeshmëri politike ka çështja. “E kuptoj vështirësinë e pranimit të faktit që njerëzit që kanë bërë krime kundër të dashurve tuaj, nuk do të paguajnë deri në fund çmimin që meritojnë”, shtoi Kryeministri.

Edhe Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, ka kërkuar mbështetje për familjet. “Miq dhe kolegë, le të përqafojmë të gjithë familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur në luftën kundër terrorit. Ata mbartin një dhembje e cila nuk do t’u largohet kurrë, por jo për këtë e duan me më pak dinjitet dhe fisnikëri kombin e tyre”, shkroi Peres në një deklaratë publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA